Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendi pritën një delegacion të Komisionit Këshillimor nga Këshilli Evropës

18.03.2015

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, Gazmend Muhaxheri dhe Xhezair Murat, kanë pritur sot në një takim të përbashkët një delegacion të Komisionit këshillimor nga Këshilli Evropës, të kryesuar nga Asbjom Eide, kryetar i Komisionit dhe ka biseduar me të për punën e Kuvendit të Kosovës në implementimin e Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Deputeti Naim Maloku fillimisht i ka njoftuar mysafirët me përbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar sidomos pjesëmarrjen në Kuvend të nëntë subjekteve politike nga radhët e minoriteteve, shumica absolute e të cilave po integrohet me sukses në shoqërinë e Kosovës dhe janë të një zëri me shumicën shqiptare për ardhmërinë e vendit, ndërsa vetëm deputetët nga Lista Serbe për Kosovë bojkotojnë institucionet e Kosovës. Ai pastaj ka folur për përgatitjen e institucioneve të vendit për fillimin e bisedimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës, ka përmendur gjithashtu Grupin negociator të Kosovës dhe grupet e tij punuese, në të cilat do të përfaqësohen edhe minoritetet e Kosovës.

Anëtari tjetër i Kryesisë, Xhezair Murat, është fokusuar në anashkalimin nga faktorët ndërkombëtarë që vizitojnë Kosovën, të minoriteteve joserbe dhe joshqiptare, të cilat mbështesin vullnetin e popullit shumicë në Kosovë. Ai , ndërkaq, është shprehur i kënaqur me përdorimin zyrtar të gjuhëve të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës. Murat ka theksuar se minoriteti boshnjak në Kosovë arsimohet në gjuhën amtare, madje ka dy fakultete në Kosovë dhe e ka vlerësuar të dëmshme insistimin e serbëve dhe të disa goranëve që mësimi të zhvillohet sipas planeve të Serbisë dhe vetëm me alfabet cirilik. Ai edhe me këtë rast e ka vlerësuar të paplotë Grupin negociator të Kosovës pa përfshirjen në të të përfaqësuesve të minoriteteve.

Kyetari i Komisionit këshillimor nga Këshilli Evropës, Asbjom Eide, i ka përkujtuar anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës se njëri nga standardet për Kosovën është edhe implementimi i rekomandimeve të Komisionit këshillëdhënës të Komisionit Evropian. Ai ka shfaqur kënaqësinë që minoritetet do të përfshihen në trupat punues të Grupit negociator dhe do të kontribuojnë për statusin e ardhshëm të Kosovës.