Kuvendi i Republikës së Kosovës

Roli dhe kompetencat e Kuvendit

Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Ka 120 deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë. Njëzet prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera: turk, boshnjak, rom, ashkali, goran dhe egjiptian.

Kuvendi ka kuotë gjinore, për të siguruar përfaqësim të grave në radhët e deputetëve, prej të paktën 1/3 së përbërjes së përgjithshme të Kuvendit. Këto dispozita sigurojnë që Kuvendi përfaqëson tërë popullin e Kosovës. Gjatë mandatit të tyre parlamentar, deputetët kryejnë një varg funksionesh. Ata shqyrtojnë dhe miratojnë projektligje dhe vendime, përfaqësojnë dhe mbrojnë të drejtat dhe interesat e qytetarëve, mbikëqyrin punën e qeverisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe e miratojnë buxhetin e Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar.

Kuvendi i Republikës së Kosovës i ushtron kompetencat në përputhje me nenin 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: miraton Kushtetutën, ligje, rezoluta, deklarata dhe akte të tjera të përgjithshme, vendos ta ndryshojë Kushtetutën, shpall referendum, në pajtim me ligjin, ratifikon traktate ndërkombëtare, miraton buxhetin e Republikës së Kosovës, zgjedh dhe shkarkon Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, zgjedh dhe mund ta shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës, zgjedh Qeverinë dhe mund të shprehë mosbesimin ndaj saj, mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve i raportojnë Kuvendit, zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën, propozon gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, mbikëqyr politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë, jep pëlqimin për dekretin e Presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, vendos për çështjet e interesit të përgjithshëm, të përcaktuara me ligj.