Republika e Kosovës aktualisht ka statusin e vendit kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Procesi i Stabilizim-Asociimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor është lansuar me 1 nëntor 2000, si kornizë e politikave evropiane për marrëdhëniet midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, deri në anëtarësimin eventual të tyre.
Me 27 tetor 2015 në Strasburg të Francës është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, e cila hyri në fuqi me 1 prill 2016.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në, në të gjitha fushat e politikave, deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të BE-së.
Kuvendi i Kosovës në kuadër të zbatimit të MSA-së, më 10 mars 2017 ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së (PKZMSA), i cili përbën dokumentin kryesor kombëtar të politikave të anëtarësimit në BE. PKZMSA paraqet një kornizë gjithëpërfshirëse afatmesme të reformave të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA, respektivisht masat dhe prioritetet për përafrimin gradual të legjislacionit vendor me acquis të BE-së, nëpërmjet transpozimit të kësaj të fundit në të, si dhe për zbatimin e legjislacionit të përafruar.
Gjithashtu, institucionet e Kosovës kanë miratuar Agjendën për Reforma Evropiane, me qëllim përcaktimin e prioriteteve për përmbushjen e obligimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe janë përgjegjës para tyre. Kuvendi miraton ligje të cilat më pas zbatohen në mbarë vendin. Një pjesë e procesit të anëtarësimit në BE përfshin harmonizimin dhe përafrimin e ligjeve kombëtare me standardet e BE-së. Kjo shpesh duket e komplikuar dhe një gjë e largët nga jeta e përditshme e qytetarëve, veçmas nëse është një proces afatgjatë. Prandaj, Kuvendi i Kosovës dhe anëtarët e saj kanë një rol të veçantë për t`i sjellë më afër këto çështje, ide dhe vlera.
Kuvendi i Kosovës është pjesëmarrës kyç në procesin e anëtarësimit. Ai pasqyron opinionin kombëtare dhe e përfaqësojnë diversitetin qytetarë. Kuvendi i Kosovës mbikëqyr gjithë procesin dhe përfaqëson interesat kombëtar të Kosovës.
Detyrat e Kuvendit të Kosovës në kuadër të anëtarësimit në BE mund të grupohen në katër fusha aktivitetesh si në vijim:
Me anë të miratimit të ligjeve, Kuvendi siguron transpozimin e acquis të BE-së në sistemin juridik të Kosovës.
Po ashtu, Kuvendi bën mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të miratuar, PKZMSA-së si dhe Agjendës për Reforma Evropiane.
Kuvendi e autorizon qeverinë për përfaqësimin e pozicioneve të vendit në procesin e anëtarësimit dhe bën mbikëqyrjen nga afër të aktiviteteve të qeverisë përgjatë tërë procesit. Ndonëse qeveria është aktori kryesor në procesin e zgjerimit, shqyrtimi i hollësishëm parlamentar siguron konsensusin e mundshëm më të gjerë politik.
Kuvendi është burim i informacionit për publikun e përgjithshëm sa i përket integrimit në BE.
Përmes aktiviteteve të tij, ai është përgjegjës për forcimin e vlerave të transparencës dhe të shkëmbimit të informacionit.
Diplomacia parlamentare është një vlerë në procesin e zgjerimit, për forcimin e reputacionit ndërkombëtar dhe të mbështetjes për Kosovën. Kontaktet e rregullta me Parlamentin Evropian dhe me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, si dhe bashkëpunimi Parlamentar rajonal, janë kyç i suksesit të procesit të integrimit.
Komisioni për Integrime Evropiane (KIE) është një nga katër komisionet kryesore dhe aktori kryesor në Kuvendin e Kosovës në çështjet e integrimit në BE.
Përfshirja e KIE-së është e detyrueshme në procesin legjislativ. Ai merret me shqyrtimin e të gjitha projektligjeve dhe të amendamenteve të dorëzuara në Kuvend nga aspekti i përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit me acquis të BE-së. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, barra e punës legjislative është rritur në masë të konsiderueshme. Së këndejmi, aktualisht aktiviteti kryesor i komisionit ndërlidhet me përafrimin me legjislacionin e BE-së.
Në kuadër të monitorimit të ekzekutivit, KIE-së i është besuar mbikëqyrja e aktiviteteve të qeverisë në lidhje me BE-në, përfshirë këtu përafrimin dhe harmonizimin e legjislacionit. Për këtë qëllim, mund të kërkojë informata dhe të dhëna specifike, si dhe të iniciojë mbajtjen e dëgjimeve publike me ministrat dhe me zyrtarët tjerë.
Në përputhje me Rregulloren e Punës, fushëveprimi i detyrave dhe i përgjegjësive të KIE-së përfshin gjithashtu bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet e BE-së dhe me zyrat e tyre në Kosovë, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e praktikave të mira me vendet anëtare të BE-së, pjesëmarrjen si dhe mbikëqyrjen e Procesit të Stabilizim-Asociimit, mbikëqyrjen dhe koordinimin e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA), monitorimin e donatorëve dhe të programeve të bashkëpunimit të BE-së, bashkëpunimin me Këshillin e Evropës.
Në përgjithësi, KIE i mban dy deri në katër takime në muaj dhe zakonisht janë disa pika në rendin e ditës. Takimet e KIE-së janë të hapura për publikun dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile janë pjesëmarrës të rregullt.
Nisja e Procesit të Stabilizim-Asociimit për Evropën Juglindore
Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor
Komunikata e Komisionit Evropian e ardhmja evropiane për Kosovën
Veprimi i përbashkët për themelimin e EULEX-it në Kosovë
Shpallja e pavarësisë së Kosovës
EULEX-i bëhet operacional
Komunikata e Komisionit Evropian Kosova-Realizimi i perspektivës evropiane të saj
Komisioni Evropian e fillon dialogun për liberalizim të vizave
Kosova e shpallë përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur
Studimi i fizibilitetit për MSA-në
Inicimi i MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës
Nënshkrimi i MSA-së
Kuvendi i Kosovës e miraton PKZMSA-në
MSA hyn në fuqi
Komisioni Evropian i propozon institucioneve të BE-së liberalizimin e vizave për qytetaret e Kosovës
Qeveria e Kosovës e aprovon Agjendën e Reformës Evropiane për të maksimizuar përfitimet ekonomike dhe politike të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit
Komisioni Evropian konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave