Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti 

21.05.2024

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën drejtimin e zv/kryetares Jeta Statovcit, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) për vitin 2023.

Për të raportuar rreth performancës së ARRU-së, ishte e ftuar drejtoresha Hajrije Morina. Duke folur për arritjet e institucionit që ajo drejton, drejtoresha Morina përmendi rritjen e besueshmërisë në institucion nga ana e konsumatorëve për adresimin e çështjeve të tyre, si rezultat i bashkëpunimit dhe punës intensive që zhvillon ARRU-ja.

Në vazhdim të fjalës së saj, ajo listoi edhe sfidat me të cilat ballafaqohen aktualisht, duke i prezantuar edhe planet konkrete për përmirësimin dhe tejkalimin e sfidave të evidentuara, sikurse ndryshimi në metodologjinë tarifore, shqiptimi i masave ndëshkuese, mungesa e mekanizmave verifikues për të matur saktësinë e të dhënave raportuese që japin KRU-të, instalimin e ujëmatësve e të tjera.

Tutje, anëtarët e komisionit parashtruan pyetje lidhur me fushëveprimtarinë e ARRU-së, duke shprehur fillimisht mirënjohje për punën dhe performancën e përmirësuar të dikasterit në fjalë, me gjithë që mbetet shumë për tu dëshiruar. Njëkohësisht ata ofruan mbështetje të vazhdueshme në ngritjen e cilësisë dhe informimin e saktë e të shpejtë të qytetarëve.