Kuvendi i Republikës së Kosovës

Punimet e Kuvendit

Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, 120 deputetët mblidhen në seancë plenare për të diskutuar çështje aktuale, për të parashtruar pyetje për qeverinë dhe për të votuar për vendime dhe ligje.

Seanca plenare mbahet në pajtim me rendin e ditës, i cili përpilohet nga Kryesia e Kuvendit, në bashkëpunim me udhëheqësit e grupeve parlamentare.

Një seancë e zakonshme e Kuvendit fillon me deklarata të deputetëve për çështjet të cilat nuk janë në rend të ditës. Zakonisht, kjo përcillet me kohën për pyetje, ku përfaqësuesit e qeverisë janë në dispozicion për t’u përgjigjur në pyetjet të cilat janë parashtruar nga deputetët.

Pas këtyre pikave të rendit të ditës, Kuvendi vijon me shqyrtimin e projektligjeve, vendimeve, apo raporteve, të cilat deputetët i kanë para vetes. Pas shqyrtimit të secilit projektligj, vendim apo raport, Kuvendi voton për miratimin e tyre. 

Kryeministri dhe ministrat qeveritarë, mund të marrin fjalën në çdo kohë gjatë seancës plenare.

 

Propozimi i projektligjit

 

Propozim të projektligjit në Kuvend mund të paraqesë Presidenti i Republikës së Kosovës, nga fusha e veprimtarisë së tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, komisioni parlamentar, grupi parlamentar dhe së paku gjashtë deputetë, dhjetë mijë zgjedhës, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Në seancë projektligjet zakonisht shqyrtohen në dy lexime. Midis dy leximeve, komisionet i shqyrtojnë ato hollësisht dhe i paraqesin në Kuvend me rekomandime përkatëse.

 

Sesionet

 

Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione, në sesionin pranveror dhe në sesionin vjeshtor. Sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, ndërsa sesioni vjeshtor të hënën e dytë të muajit shtator.

Gjatë këtyre periudhave kohore, seancat plenare mbahen së paku dy herë në muaj, e ato mund të zgjasin më shumë se një ditë.

Kryesia mund të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, për ta shqyrtuar një çështje të ngutshme. Mbledhjen e jashtëzakonshme mund ta thërrasin edhe: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, një ose më shumë grupe parlamentare, që përfaqësojnë jo më pak se 40 deputetë të Kuvendit. Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të Kuvendit.

 

Diskutimet

 

Çdo deputet, mund të vendos që të flasë nga foltorja, nëse atij/asaj i jepet fjala (përfaqësuesit e qeverisë gjithmonë flasin nga foltorja).

Secila pikë e rendit të ditës së Kuvendit debatohet në seancë plenare. Për t’i mundësuar deputetëve pjesëmarrje të barabartë në diskutime të Kuvendit, diskutimet janë të strukturuara. Koha e caktuar për deputetë për deklaratat e tyre ndryshon, por zakonisht është e kufizuar në 10 minuta. Gjithashtu, deputetët kanë të drejtë që të përgjigjen, nëse ata janë përmendur në një deklaratë.

Kur një çështje e caktuar shqyrtohet në thellësi, deputetët mund të kërkojnë interpelancë, e cila është diskutim i strukturuar plenar, që mund të zgjasë deri në 3 orë. Interpelanca i adresohet Kryeministrit apo ministrave të qeverisë dhe shfrytëzohet për të mbajtur nën kontroll performancën e tyre lidhur me çështjen në fjalë.

 

Votimi

 

Ekrani paraqet informata të rëndësishme për seancën aktuale plenare. Ai në veçanti i informon deputetët për rezultatet e çfarëdo votimi në Kuvend, i cili bëhet në mënyrë elektronike. Përveç nëse nuk parashihet ndryshe, në seancën plenare, i gjithë votimi bëhet 3 në formë elektronike. Rezultatet e votimit elektronik gjithashtu publikohen në ueb-faqen e internetit të Kuvendit të Kosovës.

 

Përdorimi i gjuhëve

 

Punimet e Kuvendit të Kosovës përkthehen në mënyrë simultane në gjuhët e punës së Kuvendit të Kosovës: shqip, serbisht, turqisht dhe anglisht. Të gjitha dokumentet e punës së Kuvendit, gjithashtu përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe. Kjo u mundëson deputetëve, gazetarëve dhe vizitorëve nga komunitetet joshqiptare që t’i përcjellin seancat plenare.