Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike 

21.05.2024

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga kryetarja Hykmete Bajrami, u shqyrtua raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023. 

Fillimisht, një përmbledhje të këtij raporti e paraqiti Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme. Ajo në detaje foli për rezultatet e arritura përgjatë këtij viti nga ZKA-ja, si dhe për planin vjetor dhe menaxhimin financiar. Spanca vlerësoi se të gjitha kërkesat janë përmbushur, duke sqaruar se kanë kryer 124 raporte të auditimit dhe se pavarësisht sfidave, plani vjetor është përmbushur sipas parashikimeve. Ajo sqaroi se në këto raporte janë të përfshira organizata buxhetore, në nivelin qendror e lokal dhe institucione të pavarura e ndërmarrje publike. Tutje, ajo sqaroi se janë kryer 15 auditime të perfomancës. Po ashtu, sipas saj gjatë 2023 janë kryer dy auditime me informata të klasifikuara të nivelit të kufizuar. Ajo shtoi se në përgjithësi auditori ka nxjerr në pah gjetje dhe mangësi të ndryshme, duke shtuar se ka pasur mungesë dhe efikasitet të llogaridhënies.
 
Sa i përket këtij raporti u vlerësua se për herë të parë nuk ka asnjë gjetje të evidentuar, ndërkaq shpalosi të dhëna edhe për rastet të cilat janë dërguar në prokurori. Krejtësisht në fund, ajo foli edhe për sfidat e këtij institucioni, siç është çështja e objektit, si dhe largimi i stafit nga ZKA, për shkak të pagave.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, mes tjerash kërkoi sqarime lidhur me çështjen e kontratave njëburimore, të negociuara. Ajo tha se është vërejtur se kjo është shpeshtuar nga ana e organizatave buxhetore, ndërkaq, kërkoi të dhëna lidhur me numrin e këtyre kontratave duke kërkuar tutje që ZKA-ja ta bëjë edhe auditimin e të gjitha kontratave njëburimore, me negocim dhe pa publikim. Rekomandimi i Bajramit nuk mori mbështetjen e Komisionit. 

Ndërkaq, edhe anëtarë tjerë të Komisionit kërkuan të dhëna shtesë nga auditorja Spanca, për të cilat çështje ajo dha përgjigje.

Pas shterimit të debatit, me ç'rast pati diskutimeve ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, Komisioni vazhdoi me shqyrtimin e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023. U theksua se ky raport është me opinion të pamodifikuar dhe se nuk ka të gjetura. 

Megjithatë, në mungesë kuorumi votimi i raporteve pritet të zhvillohet në një mbledhje tjetër të radhës.