Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e Kuvendit

22.03.2023

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit Glauk Konjufca, vazhdoi punimet me pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 janar 2023.

Meqë debati mbi raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës ka përfunduar, i njëjti pasi u hodh në votim, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua. 

Tutje, ligjvënësit shqyrtuan raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, i arsyetuar nga kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe ai për Buxhet. Kryetarët Rrustemi dhe Muja theksuan se pas vlerësimit të komisioneve në fjalë dhe komisionit ad hoc të krijuar enkas për trajtim për plotësim ndryshim të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, e rekomandojnë për votim raportin vjetor. 

Me 67 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, raporti i KQZ-së për vitin 2021 u miratua.

Më pas, deputetët shqyrtuan raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar, deputeti Hajdar Beqa para ligjvënësve paraqiti një pasqyrë të shkurtër të raportit, duke u fokusuar në disa objektiva kyçe, si, hetimi i vendimeve dhe pasojat e atyre vendimeve për periudhat 2006-2008, investimet kapitale në ndërmarrje publike KEK sh.a., 2006-2022, investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit, faturimi i tarifave të energjisë në veri të Kosovës etj.

Pas rezymesë, kryesuesi Beqa tha se komisioni hetimor, pas trajtimit të secilës objektivë nga anëtarët dhe ekspertët e jashtëm, ka ardhur në përfundim se raporti duhet të miratohet. 

Ndonëse grupet parlamentare ndanë qëndrime të ndryshme lidhur me raportin e lartcekur, pas hedhjes në votim, me 69 vota për, asnjë kundër dhe 2 abstenime, ligjvënësit miratuan raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Me këtë pikë, Kuvendi përmbylli punimet e seancës së 19 janarit. 

Tutje, për të vazhduar me pikat e mbetura nga seanca plenare e datës 2 shkurt 2023, në foltore doli ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për të prezantuar para deputetëve Projektligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse.

Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve, ministri Vitia ndër të tjera tha se ky projektligj ofron mundësinë e modernizimit të sistemit, të mbikëqyrjes dhe kontrollit efikas të sëmundjeve ngjitëse, përkitazi me direktivat e BE-së dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian. 

Më pas, për të dhënë vendimin përfundimtar të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, u deklarua kryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila tha se projektligji është shqyrtuar nga anëtarët e komisionit dhe se i njëjti është mbështetur nga shumica e deputetëve të komisionit, me vlerësimin se ky projektligji i plotëson të gjitha kriteret e parapara për shqyrtim në këtë seancë.

Tutje, në emër të GP të LVV-së, u deklarua sërish deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila tha se projektligji i sipërpërmendur përcakton rregullat për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, si çështje e veçantë dhe shumë me rëndësi në sektorin e shëndetësisë. Ajo konfirmoi mbështetjen e grupit parlamentar që ajo përfaqëson. 

Pas deklarimeve të deputetëve, me 67 vota për Kuvendi e miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse.

Tutje, për të shqyrtuar Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, fjalën e mori zv/kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, e cila tha se anëtarët e komisionit kanë rekomanduar që raporti në fjalë të miratohet.

Po ashtu të njëjtin vlerësim e paraqiti edhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nëpërmjet kryetarit Armend Muja. 

Më pas, për të dhënë vlerësimin e tyre, nga GP i LVV-së u deklarua sërish deputetja Jeta Statovci, e cila tha se përkundër vërejtjeve për raportin e lartcekur, deputetët e këtij grupi do ta mbështesin atë. 

Nga GP i LDK-së, u deklarua Valentina Bunjaku, e cila tha se ZRRE është përgjegjëse për shumë parregullsi, përfshirë edhe mosfaturimin e shfrytëzuesve të energjisë elektrike në veri të Kosovës, prandaj, siç tha ajo, LDK nuk e mbështetë këtë raport.

Ndërkaq, nga GP i AAK-së, deputeti Besnik Tahiri tha se politikat e bëra mbi energjinë elektrike janë qenësore për qytetarët e Kosovës. Ai tha se grupi i tij parlamentar nuk e mbështet këtë raport.

Pas deklarimeve të GP për qëndrimet e tyre mbi Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, me 61 vota për, Kuvendi miratoi raportin. 

Tutje, në lidhje me shqyrtimin e Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, u deklarua zv/kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, e cila tha se anëtarët e komisionit kanë rekomanduar që të mos votohet ky raport.

Po të njëjtin qëndrim, në emër të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e paraqiti edhe kryetari Armend Muja.

Nga GP i LVV-së, fjalën e mori sërish deputeti Armend Muja, i cili paraqiti qëndrimin kundër raportit. 

Deputetja Ganimete Musliu, nga GP i PDK-së, ndërkaq, konfirmoi mbështetjen për raportin e paraqitur. 

Pas diskutimeve lidhur me raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, në mungesë të kuorumit seanca ndërpreu punimet për sot.