Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga Armend Muja, kryetar,  mbajti sot mbledhjen e radhës

24.04.2024

Fillimisht u shqyrtua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri Murati tha se ky projekt ka vlerë prej 20 milionë euro dhe se qëllimi i tij është financimi i një impianti të ri të ujërave të zeza në Ferizaj, zgjerimi i rrjetit të kanalizimit dhe financimi i asistencës teknike përkatëse.

Po ashtu, ministri Murati prezantoi edhe projektin e marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE), ku si objektiv kryesor i këtij projekti  është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë.

“Marrëveshja e ka vlerën totale prej 25 milionë euro dhe do t’i mundësojë qeverisë që të zhvillojë sistemin e pranimit social në vend, do të rrisë numrin e popullatës në banimin social dhe përmison kushtet e jetesës për familjet me të ardhura të vogla”, tha Murati gjatë prezantimit.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me këtë marrëveshje dhe pas diskutimeve u dakorduan që në lidhje me këtë project, në mbledhjen e radhës për të dhënë më shumë detaje të ftohet ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ndërsa Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, nuk u votua në mungesë të kourumit.

Në mungesë të vendimmarrjes nuk u votua as raporti me amandamente i Komisionit për Mjedis, Ushqim Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim për Projektligjin për përformancen energjetike të ndërtesave dhe as raporti me amendamente i Komisionit  për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport për Projektligjin për Tekste Shkollore.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022 dhe 2023, të cilin e prezantoi auditorja e përgjithshme Vlora Spanca, votimi për të cilën u shty për mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022 dhe 2023 e prezantoi komisionerja Krenare Sogojeva-Dërmaku, ndërsa po ashtu u shqyrtua edhe raporti vjetor financiar i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2022 dhe 2023, prezantuar nga drejtori Yll Buleshkaj.

Komisioni vazhdoi mbledhjen me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil për vitin 2022 dhe 2023, të cilin e prezantoi kryetari Arben Mehmeti.

Për këto tri raporte pati diskutime nga ana e anëtarëve të komisionit, ndërsa votimi i tyre u shty për një mbledhje tjetër.

Për mbledhjen e radhës, po ashtu u shty edhe shqyrtimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2025-2027.