Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

21.06.2022

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti sot mbledhjen e radhës të drejtuar nga kryetari Ardian Gola, në të cilën u shqyrtua raporti vjetor i punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) për vitin 2021.

Kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, para Komisionit bëri prezantimin e raportit për vitin 2021, duke folur për aktivitetet të cilat janë realizuar në kuadër të objektivave të parashtruara në planin e performancës së këtij këshilli. 

Kryetarja Halimi deklaroi se me formimin e bordit të KKTK-së ka filluar bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ajo theksoi se KKTK-ja ka qenë pjesë e grupeve punuese në kuadër të avancimit të legjislacionit sekondar të trashëgimisë kulturore në hartimin e rregulloreve, lidhur me përmirësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore, siç janë: rregullorja për inventarizimin dhe procesin e përzgjedhjes së trashëgimisë kulturore për mbrojtje si dhe rregulloren për përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse të aseteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Politikës së Menaxhimit. 

Krahas kësaj, Halimi tha se KKTK-ja është përfaqësuar me anëtar edhe ne grupin punues për Hartimin e udhëzimit administrativ për trashëgimi kulturore te luajtshme si dhe në grupin punues për pranimin e dosjeve të aseteve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mbrojtje të përhershme. Ndërkaq, ajo theksoi se Këshilli i Kosovës për trashëgimi Kulturore, ka organizuar tryezën “Bashkëpunimi nder-institucional në fushën e trashëgimisë kulturore”. 

Po ashtu, Halimi foli edhe për organizimin e projektit ndërkombëtar ”Konservimi i mozaikut romak” në parkun arkeologjik Ulpiana, si dhe aktivitete tjera bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare.

Anëtarët e Komisionit shtruan pyetje dhe ngritën çështje nga fushëveprimtaria e trashëgimisë kulturore, ndërsa, përfaqësuesit e bordit të KKTK-së u përgjigjen në pyetjet e deputeteve duke dhënë sqarimet e nevojshme. 

Pas shqyrtimit, komisioni miratoi raportin vjetor të punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2021, duke e proceduar tutje në Kuvend.