Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal

02.08.2022

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, nën drejtimin e kryetares Doarsa Kica Xhelili mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive ekzekutive.

Para komisionit, për të raportuar lidhur me këtë projektligj të ftuar ishin përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me këtë rast zëvendësministri Bardhyl Dobra paraqiti dhe arsyetoi projektligjin në fjalë. Sipas tij, në kuadër të reformës së administratës, përkatësisht me valën e dytë të racionalizimit të agjencive, ky projektligj parasheh që Agjencia për Rrezatim dhe Siguri Bërthamore dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë, të shndërrohen në departamente në kuadër të ministrive përkatëse.

Pas raportimit pasoi debati, në të cilin anëtarët e komisionit parashtruan pyetjet e tyre drejtuar zëvendësministrit, duke marrë kështu, përgjigjet nga ana e tij.

Pas ezaurimit të debatit, komisioni me shumicë votash miratoi në parim projektligjin, duke e proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.