Kuvendi i Republikës së Kosovës

Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës mori pjesë në punimet e Sesionit të 33-të të Asamblesë Rajonale Evropiane në kuadër të APF

27.11.2021

Me ftesë të kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë (APF), në përbërje: Dimal Basha, udhëheqës i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APF, si dhe deputetët Ariana Musliu Shoshi dhe Fridon Lala, anëtarë, morën pjesë në punimet e Sesionit të 33-të të Asamblesë Rajonale Evropiane në kuadër të APF.

Ky sesion u organizua në kohë rekorde nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, dhe u mbajt në Tiranë, pas anulimit të takimit që fillimisht ishte paraparë të mbahej në Beograd.

I ndarë në dy panele, anëtarët e kësaj asambleje morën pjesë në një diskutim të gjerë mbi përgjigjen e parlamenteve ndaj krizës shëndetësore të krijuar nga pandemia COVID-19.

Me ndihmën e ekspertëve, anëtarët shqyrtuan çështjen e "demokracisë dhe shoqërive përballë pandemisë", si dhe çështjen e "sfidave gjeopolitike" që ka shfaqur kjo krizë, duke krahasuar kështu diskursin shkencor dhe politik.

Udhëheqësi i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APF, deputeti Dimal Basha, mori fjalën në diskutimet e panelit të dytë me temën “Kriza shëndetësore - Gjeopolitika - Çështjet dhe perspektivat”.

Në sesion, gjithashtu u diskutua edhe përcaktimi i vendeve dhe datave të takimit të Presidentëve dhe Asamblesë Rajonale Evropiane për vitin 2022, me ç’rast Kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit, deputeti Dimal Basha shprehu interesimin që Kuvendi i Kosovës të jetë nikoqir vitin e ardhshëm.

E veçanta e këtij sesioni ishte dekorimi i shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, me titullin “Kalorësi i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut mes Kulturave”, akorduar nga Organizata e Frankofonisë, për veprën e tij universale të përkthyer në frëngjisht dhe të pranishme në të gjithë botën frankofone.

Titulli iu dorëzua shkrimtares Helena Kadare, bashkëshortes së shkrimtarit Ismail Kadare.