Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

07.03.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e nënkryetares Saranda Bogujevci, mbajti sot seancën e rregullt plenare.

Para fillimit të trajtimit të rendit të ditës, nënkryetarja Bogujevci, për nder të Ditës së Mësuesit, 7 Marsi, uroi të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës, duke i falënderuar ata që me përkushtim dhe profesionalizëm kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj. 

Tutje, nënkryetarja Bogujevci ftoi për të dhënë betimin Komisioneren e Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj, për të vazhduar më pas me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
 
Meqë disa prej pyetjeve parlamentare nuk arritën të parashtrohen për shkak të kohës së limituar, ato u bartën për seancën e radhës. 

Nga kjo pikë, udhëheqjen e seancës e bëri kryetari Glauk Konjufca, i cili njoftoi ligjvënësit për hedhjen në votim të disa marrëveshje ndërkombëtare.

Në mungesë kuorumi për vendimmarrje, votimi/shqyrtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, si: Projektligji nr.08/L-234 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar; Projektligji nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar; Projektligji nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze;  Projektligji nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm; Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm; Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”; Projektligji nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës; Projektligjii nr.08/L-271 për  ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”; Projektligji nr.08/L-273 për  ratifikimin e marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik; Projektligji nr.08/L-281 për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat; Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”, kaluan për një seancë tjetër plenare. 

Gjithashtu, edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile si dhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, në mungesë kuorumi për vendimmarrje, kaluan në seancën e radhës.

Ndërkaq, mbështetjen e shumicës së deputeti e mori Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokuriorial të Kosovës, Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligji për sport, si dhe Projektligji për tekstet shkollore. Por Kuvendi nuk miratoi propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore. 

Tutje, ligjvënësit, me 60 vota për, themeluan Organin Përgjegjës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit Shqyrtues, me këtë përbërje: Rrustem Thaqi, Gjyqtar nga Gjykata Supreme, Naime Ahmeti, Gjyqtare nga Gjykata e Apelit dhe Shyqri Hoxha, Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.

Po ashtu, me 62 vota për, deputetët themeluan Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 

Seanca vazhdoi punimet me zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile, mes kandidatëve Visar Krasniqi dhe Memli Ymeri. Pas votimit të fshehtë, kandidati Visar Krasniqi me 74 vota për, u zgjodh anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me mandat 5 vjeçar.

Për më tepër, ligjvënësit votuan për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, tre nga radhët e komunitetit shqiptarë dhe një nga radhët e komunitetit serb. Për tri pozita nga komuniteti shqiptarë, për votim u propozuan gjashtë kandidatë: Albinot Hamiti, Albinot Maloku, Besa Maxhuni, Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Driton Shaipi. Kurse, nga radhët e komunitetit serb, për votim u propozuan dy kandidatë: Oliver Vujovic dhe Nenad Janivercevic.
 
Pas votimi të fshehtë, kandidatët Besnik Boletini dhe Arta Berisha u zgjedhon anëtarë të Bordit të RTK-së nga komuniteti shqiptar, ndërsa për anëtarin e tretë nevojitet votim i dytë. Ndërkaq, për kandidatët nga radhët e komunitetit serb duhet të përsëritet konkursi, sepse asnjëri nga kandidatët nuk shumicën e nevojshme të votave. Mandati i anëtarëve të zgjedhur bëhet i ditur pasi të përfundojë votimin edhe për anëtarin e tretë.