Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

30.04.2024

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, u shqyrtua raporti me propozim amendamente për Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Me këtë rast, prezantimin e rekomandimeve të grupit punues e bëri anëtari i Komisionit Enver Dugolli, kryesues i këtij grupi.

Në vijim, Komisioni shqyrtoi amendamentet, për të cilat pati diskutim të gjerë edhe rreth emërtimit të kësaj agjencie, nëse e cenon ose jo përmbajtjen e ligjit, si dhe për disa çështje tjera teknike.

Komisioni më pas, vijoi takimin e mbyllur me shqyrtimin e këtyre amendamenteve dhe projektligjit, duke e përkrahur më pas atë.  

Përkrahjen e komisionit e morën edhe këto  raporte me propozim amendamente të këtyre projektligjeve: Projektligjit për mbrojtje nga zjarri,  Projektligjit për letërnjoftimin, si dhe Projektligjit për Shërbimet  Private të Sigurisë. 

Tutje, Komisioni përkrahu në parim edhe Projektligjin për të huajt, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes kornizë ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Krejtësisht në fund ata formuan edhe grupin e  punës për hartimin e Rregullores së punës për Komisionerin Parlamentar për FSK.