Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë

15.09.2022

E nderuara drejtore e zyrës së NDI-së në Kosovë, znj. Nancy Soderberg,

E nderuara koordinatore e ekipit të Kombeve të Bashkuara, znj.Arnhild Spence, ju urojmë mirëseardhje në Kosovë dhe urime për detyrën e re. Me vjen mire që keni zgjedhur Kuvendin për të bërë paraqitjen tuaj të parë publike, 

Të nderuar deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave,

Të dashur pjesëmarrës,

15 shtator shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara si ditë e  shënimit të progresi shoqëror dhe vlerave që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes.

Është kënaqësi që, si çdo herë, këtë ditë ta shënojmë me mbështetjen e përhershme të partnerëve tanë si NDI-ja e UNKT-ja dhe të gjitha organizatat vendore me të cilat Kuvendi ka kultivuar bashkëpunim të shkëlqyer.

Kuvendi i Kosovës, ngjashëm sikurse viteve të tjera,  në këtë ditë organizon aktivitete që kanë për qëllim hapjen e Kuvendit për të gjithë qytetarët, ata të cilët e bëjnë të mundur jetësimin e zgjedhjeve dhe qeverisjen demokratike.

Organizimi i sotëm është mundësuar fal punës së Forumit për Transparencë Parlamentare, i cili mbështetët nga NDI, që si organizëm ka në përbërjen e saj përveç deputetëve edhe përfaqësues të shoqërisë civile, gjë që e dëshmon përkushtimin e institucionit të Kuvendit për gjithëpërfshirje e zgjerim të hapësirës dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat.

Transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet kryesore për funksionimin e demokracisë. Puna e deritanishme e këtij Forumi ka kontribuuar në krijimin e një kulture të re parlamentare, duke e bërë Kuvendin institucion të qasshëm dhe të hapur për publikun. Këtë e dëshmon edhe fakti që në matjet e deritanishme të Open Data Kosova, Kuvendi i Kosovës qëndron në vendin e dytë në rajon sa i përket nivelit të transparencës duke plotësuar 78% të treguesve në parimin e Transparencës.

Sivjet, temë bosht për shënimin e kësaj dite është “Ta mbrojmë lirinë e medias për demokraci”, që vjen si reflektim i pasojave që kanë sjellë dy vite të vështira pandemike nëpër të cilat ka kaluar e gjithë bota, pasoja këto që kanë tendencë për ta minuar demokracinë.

Meqë kjo temë hyn në kuadër të objektives së 16-të të agjendës 2030 të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, dua të theksoj që Kuvendi i Kosovës në vitin 2018 ka krijuar Këshillin për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG), si trupë vullnetare, mandati i së cilës është që të ndihmojë institucionet ekzekutive në zbatimin e agjendës 2030 dhe monitorim të përmbushjes së agjendës 2030, përkatësisht implementimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Punën e këtij Këshilli e përkrahin nga afër agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe në emër të Kuvendit falënderoj UNKT për mbështetjen dhe rolin e tyre në këtë proces.

Është e kuptueshme që pasojat që shkaktoi pandemia, të përcjella më pas me krizat si ajo ekonomike dhe energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë, kanë krijuar një mjedis të favorshëm për keqinformimin dhe dezinformimin në mbarë botën. Sot, e gjithë bota po ballafaqohet me sfidën e përhapjes së shpejtë dhe konsumimit të lajmeve të rreme, fenomen ky që i ndihmuar nga infrastruktura tejet e zhvilluar teknologjike është kthyer në një rrezik real për shëndetin e demokracisë. Lajmet e rreme, në kohë krizash sikurse në këto që po kalojmë tani, kontribuojnë në nxitjen e urrejtjes dhe uljen e besimit të qytetarëve tek institucionet qeverisëse. Dhe jo vetëm, lajmet e rreme e minojnë po ashtu edhe rolin dhe besimin tek vet mediat.

Është pozitiv fakti, që sivjet Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata ‘Reporterët pa Kufij’, e nxjerrë Kosovën në një pozitë shumë më të mirë sa i përket lirisë së mediave, ku nga pozita e 78-të, sivjet është renditur në pozitën e 61-të. Por ky rezultat nuk duhet ta zhvendosë vëmendje tonë për të vazhduar punën drejt krijimit të një mjedisi sa më të favorshëm që mediat të veprojnë lirshëm dhe pa frikë në Kosovë.

Ditë si kjo e 15 shtatorit na rikujton se sa e rëndësishme është që të punojmë bashkërisht në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të demokracisë dhe krijimin e një mjedisi ku liria e shprehjes dhe ajo e medias janë të pacenueshme.

Për fund, dua të shfrytëzoj rastin, që nga këtu t’i ftojë të gjithë qytetarët që ta vizitojnë Kuvendin, të bashkëbisedojnë me përfaqësuesit e tyre e të informohen për punën e deputetëve dhe Kuvendit në përgjithësi.  Por është shumë e rëndësishme që kultura e komunikimit qytetar – deputet të zhvillohet dhe kultivohet jo vetëm në ditë të shënuara si kjo e sotmja.

Ju faleminderit!