Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

18.03.2015

Mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetarët: Xhavit Haliti e Kujtim Shala), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve dhe çështjet që u ngritën nga ta, u përgjigj kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe ministrat: Bedri Hamza e Shyqiri Bytyqi.

Deputetët fillimisht u dakorduan që të votojnë propozim-rezolutën për personat e pagjetur (ndërkaq debati për këtë çështje ka përfunduar më 27 prill). Pasi që propozuesja e çështjes Saranda Bogujevci, prezantoi tekstin e kësaj rezolute të harmonizuara me grupet tjera parlamentare, Kuvendi me 72 vota pro dhe 4 kundër miratoi këtë rezolutë për personat e zhdukur:

1. Të bëhet zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë bazuar në të drejtën ndërkombëtare përfshirë konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe në Protokollin shtesë nr. 1 të vitit 1977.

2. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë të vendoset si parakusht në dialogun Kosovë-Serbi dhe të bëhet pjesë e platformës shtetërore për dialogun. Institucionet e autorizuara për dialog duhet t'i raportojnë Kuvendit dhe komisioneve përkatëse pas çdo takimi me palën serbe për këtë çështje.

3. Subjektet bartëse të politikës parlamentare dhe politikës së jashtme të Kosovës në agjendat e takimeve dhe përfaqësuesit e OKB-së, BE-së dhe shteteve me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare, të fokusojnë me prioritet zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë dhe për zbatimin e pikave të rezolutës ta njoftojnë Kuvendin e Kosovës.

4. Të gjithë bartësit e detyrave të kësaj rezolute në bazë të pikave të kësaj rezolute, t'i qasen në mënyrë të veçantë në dialogun Kosovë-Serbi, zbardhjes së fatit të Ukshin Hotit, për shkak të rrethanave të zhdukjes së tij, të planifikuar nga strukturat komanduese të shtetit serb, përfshirë drejtorin e Burgut të Dubravës në Istog dhe Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

5. Qeveria e Republikës së Kosovës të finalizojë deri në fillim të muajit qershor 2018 koncept dokumentin për çështjen e personave të zhdukur dhe të procedojë me plotësim-ndryshim ndryshimin e Ligjit për persona të zhdukur dhe të njëjtin ta prezantojë në Kuvend.

6. Qeveria ta trajtojë me prioritet funksionalizimin e plotë të Regjistrit Qendror për persona të zhdukur përfshirë edhe versionin elektronik me mundësinë e digjitalizimit të krijimit të qasjes për publikun, me qëllim të rritjes së transparencës.

7. Qeveria të angazhohet që të lidhë marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ashtuquajturën ndihmë juridike, ngjashëm me marrëveshjen që ka bërë Serbia me Bosnjën, Hercegovinën dhe Kroacinë.

8. Institucionet kompetente të Republikës së Kosovës të angazhohen dhe të padisin Serbinë si përgjegjëse kryesore për persona të zhdukur, duke përfaqësuar familjarët individualisht ose si grup në instanca ndërkombëtare.

9. Qeveria obligohet që të realizojë projektin për shfaqjen e të dhënave rreth personave të zhdukur tek përmendorja jashtë objektit të Kuvendit dhe të përfundojë puna e Memorialit në Meje të Gjakovës deri në fund të vitit 2018.

10. Të ngriten kapacitetet institucionale të vendit, për tu marrë plotësisht me çështjen e personave të zhdukur me forcë.

11. Të hartohet dhe të procedohet projektligji që mundëson gjykimin e të akuzuarve për krime të luftës, në mungesë

Në vijim, deputeti Daut Haradinaj, kërkoi që të hiqet nga rendi i ditës së mbledhjes së sotme shqyrtimi i Projektligjit për Amnistinë. Ky propozim mori mbështetjen e deputetëve tjerë.

Më pas, Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e parapara të kësaj seance.

Meqë për shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim, nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, kjo çështje mbeti të hidhet në votim më vonë.

Ndërkaq, gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e paraqiti fillimisht dhe arsyetoi këtë projektligj. Mes tjerash ai sqaroi se përmes këtij projektligji gjyqësori dhe prokuroria do të vendosen në rrugë të shëndoshë, si dhe sigurohet transparenca dhe llogaridhënia. Ai tha se për herë të parë në mënyrë të drejtë po rregullohet disiplinimi i gjyqtarëve e prokurorëve.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion..., Albulena Haxhiu, tha se Komisioni e ka shqyrtuar këtë çështje dhe i ka rekomanduar seancës për mosmiratim të projektligjit. Ajo sqaroi një sërë vërejtjesh që janë dhënë gjatë kësaj mbledhjeje, duke shtuar se përmes këtij projektligji po ndërhyn Ministria e Drejtësisë dhe kjo sipas saj është ndikim i drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë nga ekzekutivi. Kjo, shtoi Haxhiu, do ta dëmtojë edhe më shumë sistemin e drejtësisë.

Korab Sejdiu, duke prezantuar qëndrimin e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me këtë projektligj, tha se në Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve hasim në shqetësime serioze e që, sipas tij ka probleme fatale. Sejdiu vlerësoi se përfshirja e ekzekutivit nuk është zgjidhje e këtij problemi, por është ndërhyrje e politikës në gjyqësor, duke e quajtur këtë fakt si sulm të drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorëve.

Hajdar Beqa, pasi prezantoi qëndrimin pro këtij projektligji të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, sqaroi fillimisht se në Komisionin për Legjislacion... votimi për këtë projektligj ka qenë i barabartë (5 anëtarë pro dhe 5 kundër). Duke përmendur reformat në sistemin e drejtësisë që bëhen edhe përmes këtij projektligji, ai tha se risi është fakti se rol në këtë çështje do të ketë edhe Avokati i Popullit, që do të përcjellë gjithë procesin e hetimeve.

Më pas fjalën e mori Albulena Haxhiu, duke paraqitur edhe qëndrimin kundër këtij projektligji të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Duke u ndërlidhur me çështjen e votimit në komisionin të cilin e përfaqëson ajo, atë për Legjislacion, tha se meqë ka pasur vota të barabarta në Komision, kjo çështje bie dhe nuk miratohet. Ajo përsëriti faktin se e kundërshtojnë përfshirjen e ekzekutivit në këtë kompetencë, gjë e cila sipas saj e rrënon sistemin e drejtësisë.

Edhe deputeti Frashër Krasniqi, duke folur në emër të Grupit të Deputetëve të Pavarur, paraqiti qëndrimin e tyre pro këtij projektligji, ndërkaq sqaroi se vërejtjet e tyre dhe komentet do t'i japin gjatë amendamentimit.

Edhe Shkumbin Demaliaj, nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi mbështetjen për këtë projektligj. Ai tha se lidhur me këtë kanë paraqitur edhe vërejtjet e tyre, mirëpo kontributin do ta japin gjatë amendamentimit.

Bilall Sherifi, nga grupi parlamentar Nisma, tha se ekzistojnë dilemat rreth çështjes së përfshirjes së përfaqësuesve të MD-së në këtë çështje, mirëpo shtoi se duhet të mbështeten reformat në këtë fushë, ndërsa më vonë edhe mund të ndryshohet kjo çështje, duke shtuar se i japin mbështetje projektligjit.

Edhe Bahrim Shabani, duke shprehur qëndrimin pro të grupit parlamentar 6+, tha po ashtu se do të japin kontributin e tyre gjatë shqyrtimit të mëtejmë.

Pas diskutimit të deputetëve lidhur me këtë çështje, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, u përkrah në parim nga deputetët, me 56 vota për dhe 30 kundër.

Në vijim Kuvendi vazhdoi me çështjen e emërimit të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Para fillimit të procesit me votim të fshehtë, fjalën e mori kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e cila sqaroi se Komisioni i rekomandon Kuvendit që të mos emërohen kandidatët e propozuar, meqë, sipas saj, kandidati Naser Shala nuk i plotëson kriteret për këtë.

Kuvendi, pasi vazhdoi me votimin e këtyre kandidatëve me votim të fshehtë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota të mjaftueshme dhe konkursi për këtë do të përsëritet.

Më pas, Kuvendi formoi Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi tejkaloi shqyrtimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti.

Kuvendi vijoi punimet me pikën e fundit, formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës, sipas propozimit të GP të LDK-së, mbështetur nga 41 deputetë.

Propozimin, para Kuvendit e paraqiti dhe arsyetoi kryetari i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili prezantoi edhe emrat e propozuar nga ky grup për anëtarë të këtij komisioni.

Memli Krasniqi shfaqi dyshimin e tij lidhur me bazën kushtetuese të këtij propozimi. Ai tha se PDK nuk është e gatshme të japë emrat sot dhe se i duhen konsulta shtesë.

Pro komisionit u deklarua kryetari i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili njëherësh propozoi edhe emrat nga grupi i tij parlamentar.

Dardan Molliqaj nga GDP propozoi deputetin Dardan Sejdiu, ndërsa Teuta Haxhu nga AAK, Bilall Sherifi nga Nisma dhe Allbert Kinolli nga 6+, propozuan emrat nga grupet e tyre parlamentare.

Përkitazi me këtë temë, diskutuan edhe deputetë të tjerë të Kuvendit.

Seanca nuk pati kuorum të mjaftueshëm për votim të kësaj pike.