Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës së Kuvendit

18.03.2015

Seanca e sotme e Kuvendit, e thirrur nga deputetja Fatmire Kollçaku, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë, për të debatuar lidhur me dhunën në familje dhe adresimi institucional, ka filluar me një foto të përbashkët të deputetëve para foltores së Kuvendit, të veshur me bluza të cilat kishin një lulediell dhe mbishkrimin "Ti je një lulediell", e cila simbolizon fushatën në ndihmë të fëmijëve të Kosovës që vuajnë nga leukemia dhe kanceri.

Ndërkaq, në emër të deputetëve, kryeparlamentari Kadri Veseli ka uruar të gjitha nënat dhe gratë në Kosovë, me rastin e Festës së 8 Marsit.

Deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në cilësi të propozueses, tha se dhuna në familje përbën shkelje të të drejtave të njeriut, derisa kjo shkelje ka ndikuar në mbrojtjen e të drejtës së personit për jetën, të drejtën për mjete efektive të garantuara me konventën ndërkombëtare dhe Kushtetutën.

Ajo tha se janë bërë dhjetë vite nga hyrja në fuqi e ligjit kundër dhunës në familje dhe nga viti 2008 e deri me sot, më shumë se 15 gra janë vrarë, mbi 20 mijë gra kanë raportuar dhunën në familje, ndërsa mbi 68 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme.

"Jemi të sigurt se drejtësia për secilën grua është e stërvonuar, me vet faktin se sa lëndë janë trajtuar nga ana e drejtësisë. Edhe ato pak raste që janë trajtuar, vendimet kanë qenë shumë të buta në krahasim me krimin e bërë në familje. Statistikat mbi dhunën në familje e dëshmojnë këtë gjendje. Nga janari deri në dhjetor 2017 janë evidentuar 1196 raste të dhunës në familje", tha Kollçaku.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, theksoi se Qeveria e Kosovës do të jetë përkrah familjeve për të ndalë dhunën në mesin e tyre. Ai tha se qeveria dhe institucionet e vendit në përgjithësi, e ndjejnë përgjegjësinë dhe barrën që iu takon, si dhe detyrat që ato kanë para vetes, në mënyrë që dhuna në familjet tona të ndalet dhe të mos ndodhë më.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në emër të grupit të saj parlamentar, tha se dhuna ndaj grave nuk mund të shkëputet nga problemet socio- ekonomike të Kosovës. Ajo shtoi se gratë dhe vajzat e Kosovës përballen me shumë probleme të përditshme. Sipas saj, nga papunësia dhe problemet tjera, dhuna në familje vjen duke u shtuar.
Haxhiu pati kritika edhe për Policinë e Kosovës, pasi që sipas saj disa nga policët i shpërfillin tërësisht rastet e dhunës në familje.

Në emër të GP të LDK-së, deputetja Lirije Kajtazi theksoi se gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuera. Ajo shtoi se shumë fakte tregojnë se shoqëria jonë nuk ofron mundësi të barabartë për gratë dhe burrat. Sipas saj, gratë vazhdojnë të mos jenë mjaft të punësuara dhe të kenë barriera gjatë përparimit në karrierë, të drejtave në pronë, trashëgimi etj.

Kajtazi tha se dhuna buron nga paedukata, nga i ligu që nuk mund të menaxhojë veten dhe situatën. Ajo shtoi se dhuna ndaj grave ndikon seriozisht edhe në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli nga GP i PDK-së, tha se me gjithë punën ndërgjegjësuese që është bërë, sidomos në dhjetë vitet e fundit, qëndrimet ndaj dhunës nuk kanë ndryshuar shumë. Mjaku-Topalli tha se vetëm 5 për qind e grave të dhunuara në gjirin e familjes denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. Sipas saj, i vetmi burim i informacionit mbetet vet viktima, e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku ai apo ajo bëjnë pjesë.

Topalli tha se dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes, duke mos e paraqitur kështu në statistikat zyrtare.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se shoqëria jonë ende nuk është e vetëdijesuar për barazinë gjinore. Ajo tha se dhuna ndaj gruas është prej shkeljeve më të rënda e cila vazhdon të jetë problem në vendin tonë. Numri i raportimeve, sipas saj, është i vogël dhe shoqëria është pak e vetëdijshme për barazinë gjinore.
Haxhiu tha se jetët e humbura të grave në Kosovë nga dhuna në familje duhet të jenë alarm për institucionet dhe gjithë shoqërinë.

Kryetari i GP të Nisma-s, Bilall Sherifi, tha se kur flitet për fenomenin e dhunës në familje, ai duhet trajtuar në dy aspekte: njëri, që lidhet me detyrimin e institucioneve gjegjëse për t'i marrë në mbrojtje ato gra që i nënshtrohen dhunës çdo ditë, qoftë asaj fizike apo psikologjike, dhe tjetri, në preventivën për të mbrojtur femrën apo fëmijën që do të lind pas 20 vjetësh.

Për fenomenin shqetësues të dhunës në familje dhe nevojës së forcimit të mekanizma që parandalojnë këtë fenomen, folën edhe përfaqësuesit e Grupit Parlamentar Listës Serbe dhe të atij 6+, përkatësisht deputetja Jasmina Zhivkoviq dhe deputeti Fikrim Damka.

Debatit i kontribuuan edhe anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me këtë fenomen shqetësues dhe paraqitën propozime konkrete për adresimin institucional të kësaj problematike.

Pas diskutimeve, iniciuesja e debatit, deputetja Fatmire Kollçaku, prezantoi rekomandimet e harmonizuara midis grupeve parlamentare, të cilat adresonin institucionalisht këtë çështje, duke kërkuar marrjen e masave konkrete, si në aspektin e ndryshimeve ligjore, ashtu edhe të ngritjes së buxhetit që i dedikohet forcimit të pozitës së gruas në shoqëri.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi nuk arriti t'i votojë rekomandimet, ndërsa për vazhdimin e seancës do të vendosë Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e saj të ardhshme.