Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit

18.03.2015

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme, e cila nisi nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ndërkaq, më pas u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, zhvilluan debat parlamentar lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA).

Debati i sotëm është zhvilluar me iniciativë të deputetëve Avdullah Hoti dhe Arbërie Nagavci, të cilët fillimisht vunë në pah qëllimin e seancës së jashtëzakonshme, ndërkaq, nënvizuan dëmet që i janë shkaktuar arsimit në Kosovë me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR. Më pas, deputeti Hoti (shef i Grupit Parlamentar të LDK-së), si iniciues i debatit (mbështetur edhe nga 38 deputetë të tjerë), në fjalën e tij, ndër të tjera tha:" Menjëherë pas festimit të 10 vjetorit të pavarësisë, në vend që të kishim njohje dhe anëtarësime të reja në mekanizma ndërkombëtarë, më datë 27 shkurt 2018, Agjencia Kosovare e Akreditimit përjashtohet nga "Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë". Ai më pas shtoi se, Kosova ka qenë shteti i parë nga rajoni që është bërë pjesë e këtij institucioni dhe ka qenë përfituesja më e madhe e donacioneve për arsim të lartë, duke sjellë ekspertizën ndërkombëtare në Kosovë, dhe mobilitet të studentëve dhe stafit akademik.

Në vijim, deputeti Hoti, duke vlerësuar se vendimin e shkarkimit të Bordit të AKA-së e ka marrë kryeministri Haradinaj, ai, iu drejtua atij, si dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, me një vistër pyetjesh lidhur me këtë çështje.

Inicuesja tjetër e debatit nga radhët VV-së, deputetja Nagavci ndërkaq, u shpreh: "Është plotësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë për shkak të betejave krejtësisht partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit", dhe në vijim deklaroi se, pas përjashtimit të Kosovës nga EQAR-i do të komplikohen shumë procedurat e aplikimit të studentëve në universitetet ndërkombëtare, e po ashtu do të paraqiten pengesa të shumta edhe për punësimin e të rinjve jashtë vendit. Në vijim, Nagavci u shpreh e bindur se edhe përbërja e kaluar e Bordit të AKA-së ka qenë tërësisht e ndikuar politikisht, andaj, ajo në vijim të fjalës së saj, ndonëse u shpreh skeptike në sanimin adekuat të gjendjes në arsimin e Ksovës në të gjitha nivelet, kërkoi që të merren të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që AKA të jetë përsëri pjesë e EQAR-it.

Pas kësaj, fjalën e mori ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili me këtë rast, fillimisht foli për gjendjen e trashëguar në arsimin e lartë nga Ministria paraprake, ndërkaq, lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit tha se, EQAR kërkon standarde, rregulla dhe cilësi të lartë në arsim. Fillimisht, vijoi ministri Bytyqi, na është dashur që të skanojmë gjendjen në arsim në të gjitha nivelet dhe kemi konstatuar se kemi një gjendje me shumë probleme në fushën e arsimit. Ai vijoi se gjendja e rëndë në arsim është konstatuar edhe nga Zyra e Unionit Evropian në Kosovë përmes raportit të dorëzuar në fund të muajit të kaluar. Bazuar në këtë raport, sqaroi më pas ministri, ne kemi marrë vendim që për gjendjen e trashëguar në arsim, të ndërmerren masa adekuate. Gjendjen e rëndë në arsim, po ashtu sqaroi ministri Bytyqi, e ka vërtetuar edhe testi "PISA 2015". Numri i madh i universiteteve publike me një politizim të skajshëm, numri enorm i kolegjeve private, si dhe numri i madh i studentëve për kokë banori, pa as një orientim programor, akademik dhe të tregut të punës, kanë qenë një ndër çështjet sfiduese në këtë fushë, tha ministri.

Ministri në ekspozenë e tij me këtë rast, pasi pasqyroi gjendjen aktuale në arsimin e lartë në Kosovë, bëri thirrje që për përmirësimin e saj të kontribuojnë të gjithë pa dallim partish dhe bindjeve politike. Në fjalën e tij, ministri Bytyqi, u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve, ndërkaq, i ka siguruar ata se anëtarët e rinj të propozuar për Bordin e AKA-së, nuk janë të ndikuar politikisht, por, janë shumë kredibil dhe profesional. Me këtë rast, ai propozoi edhe një trupë monitoruese të këtij Bordi, për tu siguruar në performancën pozitive të AKA-së.

Ai po ashtu u shpreh se ministria që ai drejton, në bashkëpunim të ngushtë me faktorët relevantë ndërkombëtarë do të punojnë pareshtur për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Për sa i përket Vendimit të Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit, ministri vlerësoi se, niveli i AKA-së së shkarkuar, domosdoshmërisht do të çonte në vendimin që sot po përballemi.

Në vijim folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, foli Ismail Kurteshi, i cili tha se për Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), nuk mund të injorohet e të thuhet se nuk ka pasoja për arsimin e lartë në Kosovë. Ai më pas vlerësoi se për shkarkimin e Bordit të AKA-së, ministri i Arsimit është dashur të japë sqarime se në çfarë segmentesh nuk i ka plotësuar kriteret e parapara. Ai vlerësoi se anëtarët e Bordit janë shkarkuar nga detyra pa u kontaktuar e as intervistuar as një herë, dhe këtë, deputeti Kurteshi e vlerësoi shkelje të rëndë procedurale nga ana e Ministrisë së Arsimit. Ministri, tha ai në vijim, nuk e ka qartësuar se si janë zgjedhur anëtarët e rinj të Bordit dhe mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur ata, ndërkaq, këtë e cilësoi si mungesë transparence.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së foli deputetja Valentina Bunjaku.

Me këtë rast ajo, vlerësoi se ka qenë gabim nga kryeministri shkarkimi i gjithë anëtarëve të Bordit të AKA-së, ndërkaq, mos raportimi i ministrit lidhur me këtë çështje ka sjellë vendimin për suspendim të AKA-së nga EQAR-i. Ky vendim vlerësoi ajo, zhvlerëson diplomat e të rinjve tanë në arenën ndërkombëtare. Ajo po ashtu vlerësoi se ky vendim do të rrisë vështirësitë e të rinjve tanë për të studiuar në universitetet ndërkombëtare.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndërkaq, deputeti Nezir Çoçaj, vlerësoi se gjendja në arsim, sa do që nuk është në gjendje të kënaqshme, ajo dallon për të mirë nga një situatë në të cilën paraprakisht ka qenë.

Ai po ashtu vlerësoi se të arriturat në fushën e arsimin duhet marrë në konsideratë, dhe njëkohësisht të bëjmë përpjekje për përmirësimin e më tejmë në këtë fushë.

Më pas fjalën e mori deputetja Teuta Haxhiu, e cila foli në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së. Ajo vlerësoi se AKA-ja në vazhdimësi ka bërë shkelje nga fushëveprimtaria e tij, por, duke mos u ndal në të kaluarën tha ajo, ne duhet të angazhohemi që të sjellim zgjidhje në të mirë të arsimit.

Në emër të Nisma Socialdemokrate, foli deputetja Albulena Balaj- Halimaj, e cila në fillimisht vlerësoi se gjendja jo e mirë në arsimin e Kosovës është si pasojë e keqmenaxhimit të deritashëm. Ajo, po ashtu u shpreh se është për keqardhje kritika ndaj ministrit të arsimit Bytyqi, i cili, sipas saj, ka shprehë gatishmërinë e reformave të thella në arsim. Këto kritika, vlerësoi ajo, vijnë pikërisht prej atyre që e kanë shkaktuar këtë gjendje në arsim. Në vijim të fjalës së saj, Balaj- Halimaj u angazhua për një përkrahje konkrete ndaj Ministrisë së Arsimit, duke bërë që të depolitizohet veprimtaria në këtë segment, sepse, tha ajo, arsimi është interes i shoqërisë sonë. Deputeti Albert Kinolli, foli në emër të Grupit Parlamenatr 6+. Ai tha se Vendimi i Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), prej tyre është pritë me shqetësim të madh. Ky vendim, tha ai, dëmton reputacionin e shtetit të Kosovës, në veçanti në fushën e arsimit. Me këtë rast, Kinolli bëri thirrje që për të tejkalimin e kësaj situate, përkatësisht anëtarësimin e AKA-së në EQAR, të angazhohen të gjitha faktorët relevantë.

Pas kësaj diskutuan edhe shumë deputetë, të cilët shfaqën opinionet e tyre me gjendjen në arsimin e Kosovës, si dhe për vendimin e EQAR-it lidhur me AKA-në.

Në vijim fjalën e mori kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili vendimin për shkarkimin e Bordit të AKA-së e cilësoi si masë të domosdoshme për përmirësimin e gjendjes në arsim. Duke iu drejtuar deputetëve, kryeministri Haradinj shprehi habi me qëndrimin e disa deputetëve, të cilët sipas tij, në vazhdimësi kanë denoncuar dhe ngritur zërin ndaj gjendjes së keqe në arsim, ndërkaq, në seancë kritikojnë vendimet qeveritare që sipas tij, ndikojnë në përmirësimin e gjendjes.

Lidhur me këtë çështje foli edhe zv/kryeministri Fatmir Limaj, i cili u angazhua në një mobilizim të përgjithshëm për përmirësimin e gjendjes në arsim.

Me këtë rast, zv/kryeministri Fatmir Limaj, shprehu bindjen e tij se një angazhim i të gjitha grupeve parlamentare do të bënte që arsimi në Kosovë të vihet në binarë të një zhvillimi normal dhe depolitizimi të plotë.

Në fund të diskutimeve, iniciuesi i debatit, deputeti Avdulla Hoti, i lexoi rekomandimet (7 sosh) të harmonizuara ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare.

Pas kësaj, rekomandimet u hodhën në votim dhe u përkrahën nga deputetët.