Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

18.03.2015

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur sot në seancë të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri të ditur se fillimisht kërkohet votimi e deputetëve për shmangie nga rregullorja, për çfarë ai kërkoi deklarimet e grupeve parlamentare.

Kryetari i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se grupi që përfaqëson është kundër marrëveshjes, pasi që, siç tha ai, është kundër faljes së territorit të Kosovës. Ai shtoi se nëse kalon kjo marrëveshje duhet informuar qytetarët se shteti ynë humb territorit dhe kjo për VV-në, sipas tij, është e papranueshme.

Në emër të GP të LDK-së, kryetari i këtij grupi Avdullah Hoti propozoi që mos të fillojë seanca pa konsensus në mes subjekteve politike se si do të ecin tutje. Ai tha se GP i LDK-së do të votojë kundër shmangies së procedurave për shqyrtim të shpejt të projektligjit, derisa nuk ka marrëveshje se si do të procedohet.

Kryetari i GP të PDK-së, Memli Krasniqi, tha në fjalën e tij se PDK-ja ka qenë konsistente në qëndrimin e saj dhe vazhdon të jetë unike në mbështetjen për demarkacionin. Ai tha se e ka të vështirë të shoh arsye të forta për të kundërshtuar këtë marrëveshje, pasi, sipas tij, lëvizja e lirë pamundësohet nga moskalimi i demarkacionit sot.

Ahmet Isufi nga GP i AAK-së tha se marrëveshja për kufirin, me dokumentacionin e komisionit qeveritar dhe marrëveshjen e arritur midis dy presidentëve, e hap rrugën që Kosova të bëjë korrigjimin për gabimet që janë bërë të në kaluarën dhe për liberalizimin e vizave.

Deputeti Bilall Sherifi tha se GP Nisma është për shmangie, por duhet të arrihet një unitet si të ecet përpara. Ai bëri një elaborim të të gjithë procesit, ndërsa shtoi se të gjithë së bashku duhet gjetur një definicion të përbashkët se si do të dukej ligji.

Në emër të GP 6+, deputeti Albert Kinolli tha se ky projektligj është shumë i rëndësishëm dhe i hapë rrugë procesit të liberalizimit të vizave.

Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka dy vjet e gjysmë që skena politike është ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin vendit, me kufirin e vendit me Malin e Zi, tashmë vend anëtar i NATO-s. Ai tha se pas një pune intensive, është prodhuar një materiale, Projektligji për demarkacionin, i cili, sipas tij, ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Ai tha se për të parë dilemat, qeveria ka formuar një komision, i cili ka nxjerrë një raport.

Lidhur me ecurinë e mëtejme të seancës, kryeparlamentari Veseli ftoi për një takim konsultativ kryetarët e grupeve parlamentare.

Pas një pauze të shkurtër, me pajtimin e shumicës së grupeve parlamentare, Kuvendi ndërpreu punimet dhe me shumicë votash vendosi që seanca të vazhdojë të mërkurën, më 28 shkurt, në orën 10:00.