Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

18.03.2015

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Nait Hasni, kryetar. Në takim i ftuar ishte ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, për të raportuar lidhur me objektivat dhe plan-programin e ministrisë që ai drejton.

Ministri Yagcilar, gjatë prezantimit të tij para komisionit, tha se konform obligimeve të dala nga MSA-ja, Agjenda për Reforma Evropiane dhe Raporti i Progresit, ministria që ai drejton është duke u angazhuar në përmbushjen e kritereve dhe reformave në fushën e administratës publike.

Në vijim, Yagcilar prezantoi planin strategjik të MAP-it, si dhe prioritetet në fushën legjislative, të cilat përfshijnë: Plotësim- ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil, Ligjin për organizimin e administratës publike, si dhe Ligjin për pagat.

Në vazhdim, ministri Yagcilar shkoqiti edhe aspekte përmbajtësore të këtyre projektligjeve.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën çështje të ndryshme që bien në fushëveprimtarinë e kësaj ministrie, siç janë: nivelizimi pagave për shërbyesit civil, reformat në këtë sektor, numri i OJQ-ve të regjistruara në Kosovë, monitorimi dhe financimi i tyre, ndërtimi i objekteve institucionale për akomodim, punësimi i shërbyesve civilë etj.

Ministri i Administratës Publike u përgjigj në çështje e ngritura nga deputetët, duke dhënë sqarimet dhe informacionet përkatëse.

Në fund të takimit anëtarët e komisionit, u dakorduan që të hartohet Ligji për Radiotelevizionin Publik, duke u bazuar në modelin slloven.