Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

18.03.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, temë diskutimi ishte rekomandimi për auditor të jashtëm, për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2009. Kryetari i komisionit, Haki Shatri, sqaroi se nga

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, pas një konkursi të hapur nga kjo zyre, janë përzgjedhur tre ofertues të kompanive, për auditor të jashtëm.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson, i cili para anëtarëve të komisionit, ka sqaruar lidhur me rekomandimet që i ka sjellë në këtë komision, për auditor të jashtëm.

Anëtarët e komisionit, duke u thirrur në Ligjin për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës, në nenin 6, shpalosën dilemen se përzgjedhja e tre ofertuesve për auditorë të jashtëm, bie në kundërshtim me këtë ligj, meqë sipas tyre, auditorët e jashtëm duhet të zgjedhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, e jo nga ZAP-i. Madje, disa nga anëtarët e komisionit, këtë fakt e kanë quajtur konflikt interesi, e disa të tjerë kanë pohuar se ka zbrazëtira në ligj, duke shtuar njëkohësisht se kjo përzgjedhje, është një lehtësim për komisionin.

Z. Lars Lage Olofsson, duke hedhur poshtë kritikat nga ana e anëtarëve të komisionit, sqaroi se zyra të cilën e udhëheq ai, ka sjellë tri oferta, prej të cilave komisioni në fjalë, mund të përzgjedhë njërën, dhe se kjo sipas tij, nuk bie ndesh me ligjin.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, krejtësisht në fund, u dakorduan që me këtë çështje të merret Kryesia e Kuvendit.