Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

18.03.2015

Deputetët e Kuvendit të Kosovës , në seancën e sotme plenare , kanë shqyrtuar për herë të dytë 3 projektligje , Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kadastrën, atë për Arbitrazhin, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e varieteteve të bimëve. Deputetët pas shqyrtimit miratuan të tri këto projektligje, ndërkaq miratimi i tekstit përfundimtar të Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, i cili gjithashtu ishte në rendin e ditës së kësaj seance u la për një seancë tjetër, meqë teksti nuk ishte spastruar ashtu si duhet.

Në vijim deputetët e Kuvendit debatuan mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë, sipas kërkesës së mëhershme të PDK-së. Debati u zhvillua në mbështetje të Raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që iu kishte dorëzuar deputetëve, por edhe të fjalës edhe më shkoqitëse të ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi.

Duke vlerësuar gjendjen e sigurisë në Kosovë, ministri Fatmir Rexhepi, theksoi se gjendja në Kosovë është e qetë dhe stabile, por e ndjeshme. Ministria bashkë me mekanizmat vendës e ndërkombëtarë të sigurisë janë të angazhuar për t™ u përballur me të gjitha sfidat me të cilat mund të ballafaqohet vendi , sidomos në këtë kohë të zhvillimit të proceseve drejt përcaktimit të statusit , i cili sigurisht se do të ketë reflektime në gjendjen e gjithmbarshme në Kosovë.

Deputetët përkrahën dhe përgëzuan zhvillimin e këtij debati, por disa syresh bënin vërejtje se Raporti, por edhe fjala e ministrit Rexhepi do të mund të ishin shumë më gjithëpërfshirëse. Një nga vërejtjet që u ndie më shumë ishte ai se, sikur nuk po ndihet sa e si duhet rreziku nga strukturat paralele serbe.

Vëmendja e deputetëve përqendrohej në një angazhim më të madh për sigurimin e një jetë të qetë të qytetarëve. Kjo mund të arrihet me një punë më këmbëngulëse të mekanizmave të sigurisë, e cila duhet të përqendrohet sidomos në zbardhjen e vrasjeve kriminale. Në dritën e këtyre fakteve kërkohej edhe bartje sa më e shpejtë e kompetencave te strukturat përkatëse vendëse të sigurisë nga ato ndërkombëtare.

Deputetëve iu drejtua edhe kryeministri Agim Çeku, i cili vlerësoi si shumë të dobishëm e konstruktiv debatin e kësaj seance. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka projekte për ndërtimin e mekanizmave të sigurisë dhe të mbrojtjes, të cilat bëhen në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë.