Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

28.02.2020

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i drejtuar nga Albena Reshitaj, kryetare, ka mbajtur sot takim me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe me drejtorët e SHSKUK, IKSHP dhe Klinikës Infektive me temën: “Masat e marrura nga institucionet për  përballjen me përhapjen eventuale të koronavirusit në Kosovë”.

Deputetja Reshitaj, pasi prezantoi shkurtimisht situatën lidhur me zhvillimet rreth coronavirusit, theksoi domosdoshmërinë e këtij takimi të thirrur nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi  dhe Mirëqenie  Sociale.

Në fjalën e tij, ministri Vitia, bëri një ekspoze të situatës aktuale në Kosovë, lidhur me coronavirusin, e cila aktualisht rezulton e mirë, pa asnjë rast të shënuar deri tani.

Ai gjithashtu paraqiti planin që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, duke theksuar se kanë siguruar rreth 100 mijë  doza vaksinimi,  një numër të caktuar të maskave dhe mjeteve të tjera të domosdoshme për mbrojtjen e popullsisë.

Vitia tha se është duke u monitoruar situata, është duke u bërë menaxhimi teknik i mjeteve, si dhe informimi i popullsisë rreth coronavirusit.

Më pas, ai falënderoi mediat që kanë qenë korrekte deri tani, duke mbrojtur popullsinë nga keqinformimi dhe alarmimi i rremë, që krijon panik.

Anëtarët e këtij komisioni siguruar mbështetjen e tyre, për çdo veprim dhe iniciativë që do të merrët nga Ministria e Shëndetësisë, lidhur me mbrojtjen e popullsisë nga coronavirusi.

Në këtë takim, edhe drejtorët e SHSKUK, IKSHP dhe Klinikës Infektive,  sqaruan situatën sipas funksioneve të tyre të shërbimit që kryejnë.