Ndërtesa e Kuvendit

 

 

Historiku

 

Objekti i Kuvendit të Republikës së Kosovës është ndërtuar në vitet e 50-ta të shekullit XX, ndërsa është rikonstrkutuar në vitin 1960.

Projektues kryesor i objektit të rekonstruar ka qenë profesor Jura Naidhart, arkitekt i njohur në botë, bashkëpunëtor i parë i arkitektit më të njohur botëror të arkitekturës moderne, Le Corbusier.

Ndërtesa e Kuvendit është në Qendër të Prishtinës, Sheshi “Nëna Terezë”. Në afërsi të saj janë: Ndërtesa e Qeverisë, Ndërtesa e Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe sheshi kryesor i Prishtinës.

Hapësira e përgjithshme e ambienteve të Kuvendit të Kosovës është 22 mijë metrash katrorë, ndërsa ndërtesa e Kuvendit ka hapësirë prej 11 mijë metrash katrorë.

Ndërtesa e Kuvendit ka pesë kate, me tri hyrje-dalje në rrugë kryesore të qendrës së qytetit: hyrja kryesore – nga Sheshi “Nënë Tereze”, hyrja nga Sheshi “Adem Jashari”, si dhe hyrja nga rruga “Agim Ramadani”. Në funksion është edhe një hyrje-dalje e veçantë, e cila është e ndërtuar për raste emergjente.

Nga hapësira jashtë ndërtesës së Kuvendit prej 11 mijë metrash katrorë, 6 mijë metra katrorë shfrytëzohen për parking nga deputetët dhe stafi i administratës së Kuvendit të Kosovës. Pjesa tjetër prej 5 mijë metrash katrorë është hapësirë e gjelbër.

 

Salla e seancave plenare

 

Salla e seancave të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hapësirë prej 400 metrash katrorë, ndërsa gjendet në katin përdhese të ndërtesës. Në sallë janë të rezervuara 143 ulëse për deputetët e zgjedhur të Republikës së Kosovës, 21 ulëse janë për kabinetin qeveritar, ndërsa për mysafirë të seancave të Kuvendit janë të rezervuara 84 ulëse.

Përmirësimet në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe përshtatja me nevojat e kohës janë punë e përditshme e stafit të Kuvendit. Ndërkaq, riparime më të mëdha janë realizuar në vitin 2003-2004. Në këto kohë u bënë ndryshime në sallën e seancave, në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në salla të mbledhjeve të komisioneve, është bërë fasadimi i ndërtesës etj.

Punët në renovim përfunduan më 16 shkurt 2004, kur edhe u bë hapja solemne e sallës së seancave të Kuvendit.

 

Zyrat e punës

 

Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ekzistojnë zyrat e punës për stafin e administratës dhe stafin politik. Po ashtu ekzistojnë sallat e veçanta për komisionet parlamentare dhe për grupet parlamentare.

Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, i cili gjendet në katin e parë të ndërtesës, ka në shfrytëzim shtatë zyra. Njëra nga ato është zyra e kryeparlamentarit, në të cilën ai pret delegacione të ndryshme. Në këtë kabinet ekziston edhe një dhomë pune e kryeparlamentarit.

Në korridorin e kabinetit ekziston edhe vendi ku mbahen konferenca për media pas takimeve që zhvillon kryetari i Kuvendit.

 

Biblioteka e Kuvendit

 

Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ekziston edhe Biblioteka, e cila shfrytëzohet nga deputetët, si dhe administrata e Kuvendit. Biblioteka ka rreth 2 mijë libra nga fusha të ndryshme, si: politikë, histori, sociologji, psikologji, fjalorë të gjuhëve të huaja, letërsi, shkenca natyrore, art etj. Ajo pasurohet dita-ditës.

 

Qendra e Vizitorëve

 

Në vitin 2012 Kuvendi, me mbështetjen e NDI-së, ka hapur Qendrën për Vizitorë, e cila shërben si dhomë e parë pritjeje për grupet e vizitorëve. Në qendër janë të vendosura fotografi të deputetëve të legjislaturave të kaluara, të kryetarëve të Kuvendit, dhurata nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe materiale të tjera për publikun.