Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

23.09.2020

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti sot mbledhjen e radhës, nën drejtimin e nënkryetarit Jahja Koka, në të cilën për të folur lidhur me reformën në arsim në Komunën e Kamenicës, të ftuar ishin ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati.
Para anëtarëve të komisionit, ministri Ramë Likaj kërkoi nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kastrati, që të shtyhet reforma në arsim për një vit në mënyrë që nxënësit të ndjekin mësimet dhe të mos mbesin jashtë procesit mësimor.
“Kërkesa ime e vazhdueshme ka qenë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për më se 400 nxënës të cilët nuk vijojnë mësimin edhe pse viti shkollor ka filluar në të gjitha komunat e Kosovës. Kam kërkuar me mirëkuptim që të shtyhet kjo lloj reforme, meqenëse jemi në kohë pandemie. Çështje tjetër shqetësuese është edhe aspekti ekonomik si dhe kushtet e vështira atmosferike, në të cilët nxënësit duhet udhëtuar”, tha ministri Likaj. 
Ai po ashtu u bëri thirrje prindërve dhe kryetarit Kastrati që të shtyhet reforma dhe në vitin 2021.
Ndërkaq, i pari i Komunës së Kamenicës Qendron Kastrati tha se kjo iniciativë qëllim ka të mirën e nxënësve dhe arsimimin e mirëfilltë. Ai tutje shtoi se komuna që drejton ai është duke e përmirësuar gjendjen në arsim.
“Kamenica dallon dukshëm nga komunat tjera. Shkalla e migrimit është e lartë, 25 klasë me nga 1 nxënës, 19 klasë me nga 2 nxënës, 7 shkolla në më pak se 20 nxënës. Unë e kam për obligim të sigurojë arsim cilësor. Ne jemi komuna e vetme që angazhojmë në shkolla psikologë, pedagogë, logopedë e asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta dhe e gjithë kjo është rezultat i reformës në arsim“, theksoi kryetari Kastrati.
Ai vuri në dukje se Komuna e Kamenicës po i zbaton ligjet dhe detyrat për të organizuar arsim cilësor.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje në adresë të kryetarit Kastrati, duke treguar vullnet dhe përkushtim për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të mirë dhe të shpejtë, në mënyrë që nxënësit të futën në procesin mësimor. Ndërkaq, nga shumica e anëtarëve të komisionit, si sfidë u konsiderua çështja e migrimit të nxënësve në qytete. 
Gjatë diskutimit u kërkua që të gjendet një zgjidhje përtej partive dhe interesave politike.