Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal mbajti dëgjim mbikëqyrës me anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media

18.03.2024

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Valon Ramadani, kryetar, mbajti dëgjim mbikëqyrës me anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), lidhur me pretendimet për transmetim të paligjshëm dhe të paautorizuar të “Premier Ligës” në Kosovë nga “ArtMotion” nëpërmjet “Arena Sport”, për të cilin rast nëpërmjet një letre ka reaguar edhe “Premier Liga”.

Meqë “Premier Liga” ua ka dhënë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të futbollit operatorëve “DigitAlb” në gjunën shqipe dhe “Arena” në gjuhën  serbe, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, theksoi se kanë kërkuar sqarime shtesë, nëse këta dy operatorë, jo të licensuar nga KPM-ja, kanë të drejtën që transmetimin ta shesin te palët e treta. 

Siç theksoi kryetari Mehmeti, “Premier Liga” ka sqaruar se këta dy operatorë kanë të drejtë të kontraktojnë palët e treta për shpërndarje, vetëm përmes autorizimit të dhënë nga “Premier Liga”, si dhe marrëveshjes së arritur mes operatorëve.

Pas kërkimit të sqarimeve nga operatorët vendor shpërndarës, theksohet se kanë të drejtën e shpërndarjes me konfirmim të “Arenës”, ndërsa në letrën e fundit të marrë nga “Premier Liga”, thuhet se “Premier Liga” nuk e ka autorizuar drejtpërdrejtë “ArtMotion” për të transmetuar ndeshjet e futbollit në Kosovë dhe se nuk e ka autorizuar “Arena Sport” që përmes “ArtMotion”, të shpërndajë ndeshjet e futbollit në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, anëtarët e  KPM-së, theksuan se ka paqartësi dhe dyshime për keqpërdorim të transmetimit të ndeshjeve të “Premier Ligës” në Kosovë dhe si rrjedhojë, ata shtuan se ende janë duke e shqyrtuar çështjen në fjalë duke u bazuar në fakte dhe argumente.

Duke iu referuar letrave nga “Arena” dhe “Premier Liga”, si dhe fakteve kundërthënëse të paraqitura deri më tash, anëtarët e komisionit parashtruan pyetje dhe prezantuan qëndrimet e tyre, duke theksuar se duhet marrë masat ndëshkuese për çdo shkelje eventuale dhe për transmetimet e jashtëligjshme.

Kryetari i komisionit, Valon Ramadani, pasi lexoi letrën e marrë nga “Premier Liga”, ritheksoi qëndrimin se transmetimi i ndeshjeve të futbollit ka qenë pa autorizimin e kësaj lige. 

Ramadani e përmbylli këtë dëgjim mbikëqyrës, duke potencuar se do të pritet vendimi i KPM-së lidhur me shkeljet e bëra nga operatorët, pa ndërhyrje dhe pa presion.