Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e plotë e kryetarit të Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Siguri, deputetit Mefail Bajqinovci, mbajtur në punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore

21.04.2024
Të nderuar kolegë,
Të nderuar kryesues të delegacioneve,
Të nderuar kordinatorë nacional,
Zonja dhe zotërinj,
 
Raporti “Sfidat e sigurisë në vendet e Evropës Juglindore: Pasojat politike dhe të sigurisë si sfidë për paqen dhe stabilitetin në rajon", synon të ofrojë një analizë të qartë dhe një kuptim gjithëpërfshirës të dinamikës së sigurisë rajonale dhe kërcënimeve të mundshme për anëtarët e SEECP-së, me fokus të veçantë në ndikimin e kërcënimeve të jashtme ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Evropës Juglindore që vijnë si pasojë e vazhdimit dhe zgjerimit të konflikteve të reja në vitin 2023 në Evropë dhe më gjerë. 
 
Megjithëse, fokusi kryesor është mbi ndikimin e kërcënimeve të jashtme në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Evropës Juglindore. Bazuar në të raporti vë në dukje se zhvillimet e vitit 2023 treguan përpjekje për përkeqësimin e stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore. Prishtina dhe Sarajeva shënojnë raste serioze të tensioneve, të cilat mund të çojnë drejt pasigurive të mëdha, si pasojë e tensioneve dhe kërcënimeve të jashtme. Kërcënimet në rritje të sigurisë dhe tensionet në Prishtinë, për shkak të përpjekjeve të Beogradit për destabilizim të komunave veriore të Kosovës, dhe përpjekjeve të entitetit të Republikës Serbe për shkëputje nga Sarajeva, janë aspekte të veçanta që raporti thekson. 
 
Gjithashtu, identifikon qasjen ushtarake të Beogradit, përfshirjen e "Project 5000" dhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes si kërcënime direkte për Prishtinën dhe Sarajevën, duke sfiduar përpjekjet perëndimore për stabilitet në rajon. 
 
Sipas raportit, edhe inteligjenca amerikane parashikon rritjen e tensioneve etnike në rajon, të cilat mund të shfrytëzohen nga liderët nacionalistë për avantazhe politike dhe për të penguar integrimin në BE dhe NATO. 
 
Si, përfundim, në dritën e raportit, është e qartë se pushtimi ushtarak rus i Ukrainës ka ngritur sfida të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe politikës, duke rrezikuar edhe paqen dhe stabilitetin e disa anëtarëve të SEECP-së. 
 
Vlen të përmendet se shumica dërmuese e anëtarëve të SEECP-së janë rreshtuar me vendet perëndimore për sanksionimin e Rusisë për agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, megjithatë ka ende anëtarë që ndjekin agjendën e tyre të politikës së jashtme në mënyrë autonome, duke u përpjekur kështu të balancojnë marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë. Një qasje e tillë thekson nevojën për një vëmendje të vazhdueshme ndaj këtyre dinamikave komplekse. 
 
Stabiliteti rajonal është ruajtur, megjithëse synimi i Beogradit për rritjen e militarizmit të forcave të armatosura dhe për të fuqizuar forcat speciale përmes "Project 5000", nga ana tjetër paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për Prishtinën dhe Sarajevën. Kjo gjithashtu sfidon investimet e vendeve të Perëndimit në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor. 
 
Për fund, raporti thekson nevojën për një vëmendje të vazhdueshme ndaj dinamikave komplekse të sigurisë rajonale dhe përballimit efektiv të sfidave për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për rajonin.
 
Të dashur kolegë bazuar në të gjeturat e raportit por edhe situatën e sigurisë në vendet tona. Me qëllim që të parandalohen sfidat e sigurisë rajonale për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për rajonin dhe palët e SEECP-së. 
 
Si kryesues i këtij komisioni, me lejoni të theksoj se, pavarësisht nga kërcënimet e jashtme, ne jemi të interesuar për një fqinjësi të mirë dhe është e esenciale që të kultivojmë frymën e respektit dhe bashkëpunimit reciprok. 
 
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të dënojmë aktet e shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial, pavarësisht nga burimi i tyre, ashtu siç është e rëndësishme që të ndërpritet bashkëpunimi me Moskën. 
 
Ndërkohë, bashkëpunimi me institucionet euroatlantike dhe partnerët perëndimorë vazhdon të jetë thelbësor për menaxhimin e çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjen e rajonit. 
Të gjitha këto veprime duhet të bazohen në respektimin e vlerave demokratike dhe të drejtave themelore pa diskriminim.