Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione vizituan Agjencinë për Barazi Gjinore 

29.03.2024

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Albana Bytyqi, Fatmire Kollçaku, Ariana Musliu Shoshi dhe Eliza Hoxha, relizuan një takim pune në Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGJ), ku u pritën nga Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e kësaj agjencie.

Në këtë takim, temë diskutimi ishte, njoftimi mbi punën dhe aktivitetet e ABGJ-së, bashkëpunimi dhe bashkërendimi institucional.

Kryeshefja Edi Gusia i njoftoi deputetet se kjo agjenci është e strukturuar në 4 divizione, me gjithsejt 16 punonjës.

Po ashtu, ajo tha se janë duke punuar në projekt-rregulloren e re të ABGJ-së, në të cilën ndër tjera do të parashihet rritja e numrit të stafit, në përputhje me volumin e detyrave dhe përgjegjësive. 

Më pas, ajo i njoftoi deputetet edhe lidhur me bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë treguar për kategori, organizata dhe bizneset e ndryshme.

Një fokus shumë i rëndësishëm i punës, sipas kryeshefes Gusia, është i orientuar në aspektin e bugjetimit gjinor, ku për momentin Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar koncept dokumentin lidhur me këtë çështje.

Gusia sqaroi se në këtë dokument, ndër të tjera parashihet të bëhen plotësim ndryshime në tri ligje bazike, siç janë: Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ligji për Prokurimin Publik dhe Ligji për Auditimin e Brendshëm.

Gjithashtu, ajo theksoi se janë në fazën e përgatitjes së Programit të ri për Barazi Gjinore.

Më pas, deputetet në diskutimet e tyre folën mbi një varg çështjesh lidhur me avancimin e barazisë gjinore, rëndësinë e buxhetimit gjinor në të gjitha fushat, bashkëpunimin edhe më përmabjtësor me ABGJ-në dhe të gjithë akterët relevant institucional dhe informimit që në fazat e hershme të hartimit të dokumenteve, programeve dhe akteve tjera, në funksion të finalizimit sa më të mirë të tyre.

Në fund, pjesëmarrësit e takimit u pajtuan që në ardhmen e afërt të mbajnë një tryezë të përbashkët, në të cilën do të jenë prezentë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, të Prokurorisë së Shtetit, dhe akterë të tjerë, ku temë diskutimi do të jetë rritja e numrit të mbrojtësve të viktimave të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.