Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit

07.08.2020

Me 77 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës

 

Nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë plenare, në të cilën ka shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

 

Paraprakisht deputetët kanë ezauruar pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe të pyetjeve parlamentare.

 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në cilësinë e propozueses, paraqiti projektligjin, duke kërkuar nga deputetët që t’i japin mbështetje atij dhe të vendosin shëndetin e qytetarëve para politikave të përditshme, si dhe ta marrin me seriozitet situatën në vend.

 

“Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik në vend, duke ofruar mundësi për organet ligjzbatuese që të kryejnë punën e tyre pa e shkelur kushtetutën dhe ligjet, si dhe që të jetë përgjigje ndaj obligimeve që rrjedhin nga Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet dy aktgjykimeve të saj”, theksoi Osmani.

 

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, në emër të komisionit funksional paraqiti dhe arsyetoi raportin, duke kërkuar që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

 

“Komisioni njëzëri vendosi që Kuvendit t’i rekomandojë miratimin në parim të projektligjit, duke kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar’’, theksoi Reshitaj.

 

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, deputetja Arbërie Nagavci, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, theksoi rëndësinë e shëndetit publik dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, duke ia adresuar përgjegjësinë institucioneve.

 

“Përkushtimi institucional dhe marrja e masave adekuate në mbrojtje të shëndetit publik janë veprime të domosdoshme në luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse”, theksoi Nagavci.

 

Nga Grupi Parlamentar i LDK-së, deputeti Ekrem Hyseni, theksoi se menaxhimi i pandemisë ka qenë një sfidë e madhe për arsye të mungesës së përvojës, duke theksuar nevojën e procedimit sa më të shpejtë të projektligjit në fjalë.

 

“Ky ligj do të jetë në shërbim të institucioneve që merren me pandeminë si dhe qëllim do të ketë mbrojtjen e qytetarëve në vend”, theksoi Hyseni.

 

Deputeti Bekim Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndër të tjera deklaroi se projektligji duhet përkrahur vetëm për shkak të emërtimit të tij, e jo për shkak të përmbajtjes, duke kërkuar amendamentimin e nevojshëm të tij, në mënyrë që ligji të jetë në shërbim të luftimit të pandemisë.

 

“Projektligji fokusohet vetëm te çështja e lirisë së lëvizjes, duke mos përfshirë elementet më të rëndësishme, masat dhe parandalimin e përhapjes së virusit”, theksoi Haxhiu.

 

Pas përfaqësuesve të grupeve parlamentare, debati vijoi me diskutimet e deputetëve, të cilët i dhanë mbështetje me votë projektligjit dhe propozimit që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar, përkatësisht leximi i dytë të bëhet më 14 gusht 2020.

 

Përkrahjen e deputetëve, në dy procedura votimi, nuk e gjeti propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së, për të shqyrtuar po ashtu me procedurë të përshpejtuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike nga Covid-19.

 

Në këtë seancë u bë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, të propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

 

Deputeti Gazmend Bytyqi, në cilësinë e propozuesit, paraqiti dhe arsyetoi projektligjin, duke e cilësuar si të rëndësishëm miratimin e tij.

 

“Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës është një ligj tejet i rëndësishëm për të vlerësuar të kaluarën tonë tejet të lavdishme dhe qëllimi kryesor i këtij ligji është mbrojtja institucionale e vlerave të luftës”, theksoi ndër të tjera Bytyqi.

 

Pas deklarimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe shterjes së debatit, në mungesë të kuorumit, seanca ndërpreu punimet, për të vazhduar të enjten në orën 10:00.