Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mbajti seancën plenare të radhës

04.06.2020

U formua Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës

 

 

Me 75 vota për, 10 abstenime dhe asnjë votë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme plenare, votuan për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Fillimisht, kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, bëri të ditur se deputetja e Zikrete Aliti në përputhje me procedurat administrative të Kuvendit, ka dhënë dorëheqje nga Grupi Parlamentar 6+ dhe si tillë ky grup parlamentar është shpërbërë, pasi që numri i anëtarëve të grupit ka rënë nën minimum.

 

Para se të vihet në diskutim formimi i Komisionit Hetimor, deputetët ngritën çështje për tema të cilat nuk ishin të përfshira në rendin e ditës, mirëpo që sipas tyre janë relevante dhe mjaft të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

 

Ndërsa, sa i përket nismës për formimin e Komisionit Hetimor në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës, arsyetimin e paraqiti deputetja Eliza Hoxha, në cilësinë e propozuesit të këtij komisioni.

 

“Ne si parashtrues të kësaj kërkese theksojmë nevojë të madhe të këtij hetimi, pasi që nga ana e qeverisë që ka qenë në detyrë janë marrë veprime ad hoc dhe në të njëjtën kohë janë shkelur edhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Theks i veçantë i kushtohet rastit tragjik që ka ndodhur në qendrën e karantinimit. Andaj, nga ky komision, i cili do të përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve tre nga LVV, tre nga LDK, dy nga PDK, si dhe nga një anëtar nga AAK, NISMA dhe AKR si dhe LS, pritet të hetohen të gjithat parregullsitë për të cilat janë ngritur dyshime nga ana e deputetëve”, theksoi deputetja Hoxha.

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se përkundër faktit se ky propozim ka pësuar mutacion me kalimin e kohës, grupi i tij parlamentar mbështet me vendosmëri dhe ofron bashkëpunim ndaj këtij propozimi.

 

Deputeti Ilir Ferati, në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për zbardhjen e të gjitha dyshimeve e vlerësoi si të domosdoshëm krijimin e këtij komisioni.

 

Nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Uran Ismaili tha se për shkak të parregullsive që janë vërejtur gjatë kësaj kohe, janë shtuar edhe objektivat e këtij komisioni.

 

Time Kadrijaj nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e konsideroi shumë të nevojshme krijimin e këtij komisioni.

 

Formimi i komisionit u mbështet edhe nga Grupi Parlamentar i Nismës dhe ai i Listës serbe.

 

Formimin e komisionit hetimor e mbështeti edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

 

Kryesuese e komisionit do të jetë deputetja Mimoza Kusari-Lila, ndërsa zv/kryesuese deputetja Eliza Hoxha.

 

Pas formimit të komisionit, seanca vazhdoi punimet me dy pikat e tjera.

 

Deputetët miratuan kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020, si dhe propozimet e GP të VV-së dhe atij të PDK-së, për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.