Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit së bashku me një grup deputetësh, vizituan sot Komunën e Mitrovicës së Jugut në kuadër të ‘Vizitave të Gjelbra’

11.08.2020

Osmani: Mbrojtja e mjedisit duhet të jetë prioritet i përhershëm e edhe gjatë pandemisë

 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, bashkë me grupin e deputetëve të përbërë nga Albena Reshitaj dhe Haxhi Avdyli nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe Hajrulla Çeku nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, vizituan sot Komunën e Mitrovicës së Jugut, në kuadër të turit të ‘Vizitave të Gjelbra’.

 

Pas vizitës në Komunën e Obiliqit, kjo është vizita e dytë në terren e cila ka për qëllim që përmes diskutimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, të kuptohen nga afër dhe në mënyrë përmbajtësore sfidat mjedisore e rrjedhimisht edhe ato shëndetësore me të cilat ballafaqohen qytetarët në komunat e Kosovës.

 

Vizita filloi me takimin e përfaqësuesve të Kuvendit me Kryetarin e Komunës, z. Agim Bahtiri, gjatë të cilit takim u diskutua për projektet e realizuara në fushën e mbrojtjes së mjedisit, por edhe për sfidat e lindura gjatë pandemisë, si dhe masat e reja të ndërmarra për adresimin e situatës me pandemi.

 

Në takimin e mbajtur me qytetarët, i cili, për shkak të rrethanave me pandeminë, është kufizuar në një numër të reduktuar të qytetarëve, ishin prezentë përfaqësues të grupeve rinore, organizatave që merren me çështje të mjedisit, si dhe përfaqësues të diasporës.

 

Me këtë rast, Kryetarja Osmani theksoi që: “Mjedisi nuk duhet të jetë prioritet vetëm në ditë dhe në javë të caktuara. Mbrojtja e mjedisit duhet të jetë prioritet i përditshëm i të gjithëve, qoftë i politikanëve apo qoftë i qytetarëve. Në Kosovë numri i qytetarëve që vdesin për shkak të mjedisit të ndotur, në veçanti nga ajri i ndotur, është vërtet i madh. Duhet të kuptojmë përfundimisht që shëndeti ynë është ngushtë i lidhur me shëndetin e mjedisit që na rrethon, andaj, nëse nuk sigurohemi të mbrojmë të parën atëherë rrezikojmë edhe të dytën. Një dëshmi aktuale e kësaj është edhe pandemia me të cilën po ballafaqohemi e që ka konfirmuar lidhjen e ngushtë që ka njeriu me natyrën”.

 

Nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj dhe Haxhi Avdyli theksuan se përveç angazhimit të institucioneve, është e nevojshme të mobilizohen edhe të rinjtë të cilët me kontributin e tyre shkencor mund të ndihmojnë që politikat mjedisore si dhe ato shëndetësore, të jenë të bazuara në statistika dhe evidencë të mjaftueshme nga terreni.

 

Në këtë drejtim, Hajrulla Çeku nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, theksoi se qytetarët kanë rol tejet të madh në atë se si do të zhvillohen politikat mjedisore në vend, duke qenë vigjilentë ndaj veprimeve të politikbërësve dhe duke kërkuar llogaridhënie nga ta për angazhimin apo mos angazhimin e tyre në këtë drejtim.

 

Në takim, qytetarët u njoftuan edhe për inicimin e formimit të një komisioni hetimor për menaxhimin e lumenjve dhe kryesisht për ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat po e dëmtojnë në mënyrë serioze mjedisin në pjesë të ndryshme të Kosovës.

 

Takimi u mirëprit nga qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Jugut, të cilët folën për shqetësimet e tyre në lidhje me mjedisin në atë komunë si dhe propozuan nisma të ndryshme që do të duhet të mbështeteshin edhe nga Kuvendi.

 

Në mes tjerash u trajtua me vëmendje të veçantë  çështja e ndotjes industriale dhe mostrajtimi i duhur i mbeturinave industriale, që drejtpërdrejtë po afekton shëndetin e qytetarëve, e sidomos të pakicave në hapësira të caktuara të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

 

Ndërsa, qytetarët shfrytëzuan rastin që të flasin edhe për nevojën për gjelbërim të hapësirave, promovim të riciklimit dhe luftimin e përdorimit të qeseve të plastikës, por edhe nevojën për bashkëpunim më të thellë në mes të nivelit lokal dhe qendror, për adresim të përbashkët dhe më adekuat të sfidave mjedisore.

 

Pas takimit me qytetarët, përfaqësuesit e Kuvendit vizituan edhe Fafos-in, për të diskutuar mbi sfidat e lindura nga mostrajtimi i duhur i mbeturinave industriale.

 

‘Vizitat e gjelbra’ do të vazhdojnë edhe në komuna të tjera të Kosovës në muajt në vijim.