Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt mbledhja e Komisionit për bujqësi

18.03.2015
Masat stimuluese për zhvillimin e agrokompleksit kosovar janë shumë të ulëta, madje krahasuar edhe me shtetet përreth, siç është Maqedonia. Politika kredituese me afat të shkurtër dhe kamata shumë të larta prej 11-18 për qind gjithashtu është shumë e pavolitshme. Bujqësia kosovare praktikisht nuk gëzon masa subvencionuese. Në rrjedhat bujqësore po reflektohet negativisht mungesa e masave konkrete në politikën fiskale, e ligjit themelor mbi pronën, si dhe mungesa e mjeteve për financimin e programeve të zhvillimit në këtë lëmë. Të gjitha këto kanë keqësuar gjendjen në agrar, megjithë shpresat se pikërisht bujqësia do të jetë një promotor i zhvillimit të Kosovës. Këto ishin disa nga konstatimet e mbledhjes së Komisionit për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural të Kuvendit të Kosovës, që u mbajt sot, kryesuar nga Tomë Hajdari, kryetar, në të cilën tema themelore shqyrtimi ishin harmonizimi i punëve Parlament-Ministri e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural- drejtoratet përkatëse komunale, propozimi për mundësitë e ndryshimit të politikave fiskale në sferën e agrarit, problematika e pylltarisë në Kosovë, si dhe informata për përgatitjet rreth mbjelljeve pranverore. Në mbledhje merrnin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë të Kosovës.
Duke ndier peshën e kësaj gjendjeje jo të favorshme, Ministria e Bujqësisë tashmë ka përgatitur një material për masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e politikës fiskale në lëmin e bujqësisë. Këto masa, që së shpejti do të jenë në tryezë të shqyrtimit edhe në Qeverinë e Kosovës, që shoqëruar me zvogëlimin e doganave dhe një bashkërendim të angazhimeve të të gjitha subjekteve do të mund të ndikonin që ky lëmë i rëndësishëm të vihet në këmbë të mbara. Përfaqësuesit e Fakultetit të Bujqësisë edhe me këtë rast premtuan se do të jenë krah i fortë në të gjitha synimet zhvillimore të agrokompleksit.