Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti kryetarin e Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, Agim Vatovcin

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës , akademik Nexhat Daci, priti në një takim kryetarin e Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara të Kosovës, Agim Vatovcin. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me të arriturat e kësaj shoqate dhe mundësitë e bashkëpunimit me institucionet vendëse , që do të ishin në funksion të begatimit te veprimtarisë së saj.

Duke e njoftuar kryeparlamentarin me disa nga rezultatet e kësaj shoqate, Agim Vatovci theksoi se kohë më parë udhëheqja e Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara të Kosovës kishte një takim me mbretëreshën Silvia të Suedisë, ndërsa ka vendosur bashkëpunim mjaft të mirë edhe me një shoqatë të SHBA-ve . Shoqata kosovare tashmë është anëtare e Aleancës Evropiane për Distrofinë Muskulare. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve Vatovci përmendi edhe takimin që kishte me shoqatën simotër të Kroacisë, ku u njoftua me bashkëpunimin e kësaj organizate kroate me Parlamentin e Kroacisë.

Një sukses tjetër ishte dhe fakti se, që nga takimi paraprak me kryeparlamentarin , kjo shoqatë kishte arritur që të punësojë 11 persona me aftësi të kufizuara në organizata të ndryshme të vendit.

Në dritën e praktikës së mirë që kanë shoqatat simotra nga Rajoni dhe bota me parlamentet e tyre, Vatovci u angazhua që edhe kjo shoqatë kosovare të ketë një deputet në Parlamentin e Kosovës, të hartohet një ligj për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, si dhe të ndërmerret një nismë për sigurimin e lokaleve të nevojshme për këtë shoqatë.

Përkitazi me këto çështje, kryeparlamentari Daci theksoi se Parlamenti i Kosovës do të jetë gjithnjë afër halleve të kësaj shoqate për të avancuar veprimtarinë e saj. Sa i përket ligjit, ai duhet të hartohet dhe t™ i nënshtrohet procedurës parlamentare për shqyrtim dhe miratim. Ndërkaq, kur është fjala për sigurimin e një vendi të deputetit në Parlament, u propozua që kjo çështje të parashtrohet për zgjidhje në kuadër të Ligjit të ri për zgjedhjet në Kosovë. Mirëpo, përfaqësuesit i kësaj shoqate mund të marrin pjesë çdo herë në punën e komisioneve, kur shtrohen tema që reflektojnë me pozitën e këtyre personave, duke dhënë edhe mendimet e tyre si ekspertë për fusha përkatëse me rastin e amendamentimit te ligjeve . Po kështu, kreu i legjislativit të vendit premtoi që subjekteve përkatëse do t™ iu rekomandojë që të gjenden mundësitë për sigurimin e një zyre për këtë shoqatë, që do të mundësonte veprimtari sa më normale.