Kuvendi i Republikës së Kosovës

Takim konsultativ i kryeparlamentarit Daci me liderët e partive politike parlamentare

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, pati sot një takim konsultativ me liderët e partive politike parlamentare, në të cilin u paraqitën pikëpamje për mbarëvajtjen e mbledhjes plenare të radhës të Kuvendit të Kosovës. Vëmendje e veçantë iu kushtua procedimit dhe miratimit të Deklaratës së Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova rreth përgatitjeve për bisedat eventuale për statusin e Kosovës. Nga të ftuarit, në mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e LDK- së dhe PDK-së.

Kryetari Daci, duke potencuar se pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme, të pranishmit i njoftoi për procedurat e mundshme, dhe kërkoi që nesër në seancën plenare të tregohet përgjegjësi e lartë dhe të shprehet unitet i plotë i të gjitha subjekteve politike. Përfaqësuesja e partisë politike ORA shprehu qëndrimin se ky subjekt do t™ i japë përkrahje të plotë kësaj nisme, dhe se mbështet rolin e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarët e disa partive të pranishme, bënë vërejtje dhe sugjerime, rreth përfaqësimit të grupeve të tjera etnike dhe të partive të tjera politike, në Grupin për Statusin e Kosovës, si dhe dhanë ide të ndryshme rreth procedimit të mëtutjeshëm, sidomos rreth vendimmarrjes dhe ratifikimit në Kuvend.

Kryetari Daci në përmbyllje tha se ky ishte takim konsultativ dhe një praktikë që ndihmon Kuvendin në transparencë dhe në efikasitetin e tij. Kosova tash, për të parën herë, po përfaqësohet institucionalisht. Në çështjet madhore nuk ka opozitë dhe pozitë, por të gjithë jemi bashkë. Në këtë frymë ai shfaqi shpresën se nesër të gjithë deputetët do të sillen konform mandatit të tyre dhe përgjegjësisë që e kanë ndaj Kosovës. Në vijim ai theksoi se në procesin rreth statusit askush nuk do të mbetet jashtë, pra do të ketë përfaqësim përkatës nacional dhe partiak në grupet punuese, teknike dhe në ekipin e ekspertëve, ndërsa dihet se ratifikimi, si në çdo vend tjetër, do të bëhet në Kuvendin e Kosovës.