Kuvendi i Republikës së Kosovës

Daci priti një grup fëmijësh nga SOS “ KINDERDORF

18.03.2015

Në kuadër të fushatës Java e SOS-it, e cila do të zgjasë nga 23-30 qershor, që ka për qëllim sensibilizimin e opinionit qytetar për mbështetje të fëmijëve të braktisur, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një grup fëmijësh nga SOS “ KINDERDORF ( SOS - Fshati i Fëmijëve “ Kosovë) bashkë me udhëheqjen e këtij institucioni humanitar dhe kujdestarët e fëmijëve.

Përkujdesje për 160 fëmijë, kryesisht të braktisur

Drejtori Nacional i Kinderdorfit, Xhelal Sveçla dhe Dardan Kçiku, përgjegjës për grumbullimin e donacioneve, e kanë njoftuar kryeparlamentarin Daci me aktivitetet e institucionit humanitar që e udhëheqin dhe me vështirësitë që hasin për krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët nevojtarë. Është thënë se në katër projekte të ndryshme janë përfshirë 160 fëmijë ( kryesisht të braktisur), për të cilët organizohet përkujdesje dhe edukim në përputhje me standardet bashkëkohore pedagogjike.

Të mbështeten aktivitetet për grumbullimin e donacioneve

Profesor Daci e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm projektin për mbështetjen e fëmijëve të braktisur nga SOS - Kinderdorf dhe ka bërë apel që të mbështeten nga qytetarët, por edhe nga asociacionet qeveritare dhe joqeveritare të gjitha aktivitetet që organizohen në funksion të grumbullimit të donacioneve për këta fëmijë.

Daci i paguan pesë bileta për koncertin humanitar

Dacit me këtë rast i janë dhuruar disa punime artistike të punuara nga vetë fëmijët e SOS- Fshatit të Fëmijëve nga Prishtina, kurse kreu i legjislativit të vendit, në shenjë mbështetje të fushatës Java e SOS-it, i ka blerë pesë bileta për koncertin humanitar të Estradës së Kosovës që do të mbahet më 30 qershor, në Palestrën Një Tetori.