Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

18.03.2015
Lidhur me përmirësimin e kornizës ligjore për mjedisin biznesor në Kosovë, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me NDI-në, organizoi sot tryezë pune.

Në këtë tryezë, përveç anëtarëve të Komisionit ishin të pranishëm: zv.kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë, Mimioza Kusari-Lila, përfaqësues të Zyrës Ligjore të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të Ministrisë së drejtësisë, të USAID-it, Odës Ekonomike Amerikane, përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian si dhe mysafirë dhe ekspertë të fushës biznesore.

Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti pasi përshëndeti të pranishmit, duke paraqitur qëllimin e kësaj tryeze nga Komisioni që ai udhëheqë tha: Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në bashkëpunim me NDI-në, ka organizuar sot këtë tryezë, duke vlerësuar lartë përvojën dhe ndikimin tuaj në fushën e biznesit. Në vijim, Pajaziti njoftoi të pranishmit se Komisioni ka në shqyrtim një pako ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një ambienti të favorshëm biznesor. Ai në vijim paraqiti projektligjet që janë në fazën e amendamentimit, për të cilat kërkoi nga të pranishmit që të japin kontributin e tyre gjatë kësaj faze. Më tej, Pajaziti shtoi se është me rëndësi të veçantë që para miratimit të këtyre Projektligjeve, Komisioni të bashkëpunojë me subjektet relevante në mënyrë që të nxjerrë ligje sa më cilësore. Përveç përmirësimit të mjedisit biznesor, miratimi i këtyre Projektligjeve do të ndikojë edhe në përmirësimin e rangimit të Republikës së Kosovës në Raportin e Bankës Botërore, i cili i merr parasysh ligjet e miratuara deri në fund të muajit maj, tha kryetari i Komisionit.

Në vijim të debatit, fjalën e mori zv.kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimioza Kusari-Lila. Me këtë rast, ajo njoftoi se Qeveria, përkatësisht Ministria që ajo udhëheq, është duke punuar në thjeshtësimin e procedurave të të bërit biznes. Bizneseve, tha ajo, duhet mundësuar që të harxhojnë më pakë kohë dhe mjete për të ushtruar veprimtarinë që ata zgjedhin në fushën biznesore. Më tej Kusari shtoi se Kosova do të bëjë hapa rreth përmirësimit të hapësirës biznesore, dhe kërkoi përkrahje nga të gjithë, pozitë e opozitë si domosdoshmëri për sukses.

Ndërkaq, drejtori i programit të USAID-it për Përmirësimin e Mjedisit Afarist, Terry Slywka, shprehu besimin se Kosova ka filluar një të ardhme të ndritur në sferën e afarizmit biznesor. Ne, tha ai, kemi punuar me një mori shtetesh që ishin në fazën e zhvillimit, në të cilin është edhe Kosova aktualisht. Me këtë rast, ai si shembull të mirë të zhvillimit mori Gjeorgjinë, e cila ka shënuar rritje shumë të madhe ekonomike, në rrugën e së cilës po ecën edhe Kosova, tha drejtori i programit të USAID-it për Përmirësimin e Mjedisit Afarist, Slywka. Në vijim, Slywka duke siguruar ndihmë dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm, përgëzoi Qeverinë e Kosovës për qasje ambicioze për tërheqjen e investitorëve dhe bëri thirrje për reforma ligjore që i përkasin fushës së mjedisit biznesor.

Të angazhuar në debatin e sotëm, të pranishmit vunë theksin në miratimin sa më të shpejtë të ligjeve që i përkasin kësaj fushe, në mënyrë që të eliminohen masat jostimuluese. Po ashtu, duhet identifikuar se cili është interesi publik mbizotërues, thanë ata.

Në përmbyllje të debatit të sotëm, të pranishmit konkluduan: Projektligji për Noterinë, Projektligji për Akreditim, Projektligji për tregtinë e brendshme, Projektligji për shoqërit tregtare, Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, Projektligji për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme dhe Projektligji për Kadastër, janë ligjet që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në krijimin e ambientit të favorshëm biznesor në Kosovë. Anëtarët e Komisionit u shprehën të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim me të gjithë. Komisioni do t™i mirëpresë rekomandimet lidhur me këto projektligje, u shprehën anëtarët e Komisionit para pjesëmarrësve në tryezën e sotme.