Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Nexhat Daci mori pjesë në debatin Sfidat politike të Kosovës në vitin 2005

18.03.2015

Kosova aktualisht është protektorat i OKB-së, vend i lirë, por nuk është shtet i pavarur. Nga ky kontekst rrjedhin vlimet, shqetësimet politike , ekonomike e sociale. Kosova po ecën drejt pavarësisë, për të cilën u angazhuan breza të tërë që nga viti 1912. Kjo është e pakontestueshme, për këtë nuk ka negociata, sepse shteti i pavarur është vullnet i popullit i shprehur edhe me referendum. Për të arritur këtë na duhet vullnet i mirë, punë këmbëngulëse e më përgjegjësi për të shtyrë përpara proceset e gjithmbarshme , mbi të gjitha të jemi të sinqertë në oferta dhe obligime, sepse në epokën e globalizimit është e pamundur të fshihet diçka. Standardet nuk bëhen vetëm për çështje të statusit, realizimi i tyre mundëson sendërtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe në aleancat veriatlantike. Secili njeri është i parapërcaktuar për jetë humane , e errëta mbi të bardhën vjen nga politika. Të gjithë njerëzve duhet t™ iu sigurohet jetë e qarkullim i lirë. Këto ishin disa nga angazhimet kryesore të fjalës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, në debatin Sfidat politike të Kosovës në vitin 2005 , të organizuar nga Asociacioni i studentëve të shkencave politike, i cili u mbajt në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Në këtë frymë, vijoi kryeparlamentari Daci, duhet të shikojmë përcaktimin strategjik që pjesëtarët e minoriteteve të jenë qytetarë të dinjitetshëm të Kosovës. Të mos i akuzojmë fëmijët e asnjë populli për të këqijat që i kanë bërë prindërit e tyre. Të manifestojmë në praktikë vullnetin për realizimin e këtyre proceseve, t™ iu prijmë atyre me përgjegjësi të madhe. Kështu duhet kundruar edhe çështjen e decentralizimit, ku po spekulohet me territore, pra të hyjmë në këtë proces dhe të shohim cilët parametra po japin fryte e cilët jo.

Në vijim akademik Nexhat Daci foli gjerësisht edhe për aspekte të zhvillimit të ardhshëm ekonomik të Kosovës. Nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, tha ai, synohet që njerëzit dhe kuadrot e Kosovës të tregohen si të paaftë e të paditur për të qeverisur e projektuar të ardhmen e vendit, megjithë potencialet e padiskutueshme kadrovike të Kosovës. Shpesh po bëhen analiza nga organizma ndërkombëtarë për resurset e Kosovës, të cilat nuk vlejnë as pesë para, në vend se këtë punë ta bëjnë vetë kosovarët. Në këtë vështrim duhet kuptuar angazhimin tonë të kahmotshëm që mbikëqyrja administrative ndërkombëtare t™ i lërë vend raporteve këshilldhënëse e bashkëpunimit. Fjalët e kreut të legjislativit të Kosovës u pritën me interesim nga studentët, të cilët në vijim shtruan edhe shumë pyetje për çështjet e trajtuara në këtë debat .