Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

18.03.2015
Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës, i ka shqyrtuar sot propozim-amendamentet e grupit të punës në Projektligjin për të drejtat e ish-të burgosurve politikë dhe ka përkrahur një varg projektligjesh me amendamente të komisioneve funksionale.

Komisioni, në këtë mbledhje, të udhëhequr nga kryetari Bahri Hyseni, konstatoi se raportet me amendamente të komisioneve funksionale në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, në Projektligjin për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, në Projektligjin për metrologjinë, në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, si dhe në atë për tregtinë e mallrave strategjike, janë në harmoni me Kushtetutën dhe aktet e tjera ligjore në fuqi, duke i proceduar për në instanca të tjera të Kuvendit.

Anëtarët e komisionit i trajtuan gjerësisht propozim-amendamentet e grupit të punës në Projektligjin për të drejtat e ish-të burgosurve politikë, në përpjekje për ta bërë sa më funksional projektligjin, hartimi i të cilit vjen si iniciativë për ta rregulluar statusin dhe përcaktuar të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë së Kosovës.

Tutje, u shqyrtua kërkesa e grupit joformal të grave të Komunës së Fushë “ Kosovës për zgjatjen e pushimit të lehonisë në 12 muaj dhe u dakordua që rreth kësaj çështje të pritet rekomandimi i komisionit funksional në Projektligjin e Punës.

Komisioni shqyrtoi propozimin për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe konstatoi se anëtarët e propozuar i plotësojnë kushtet për tu emëruar. U vendos që Kuvendit të Kosovës t™i paraqitet rekomandimi për tu emëruar anëtarë të Këshillit Gjyqësor, këta kandidatë: Ibrahim Dobruna, Shadije Murat Gërguri dhe Miodrag Paviq.