Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

18.03.2015
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zonja Sanije Alijaj- nënkryetare e parë, në mbledhjen e sotme u takua me ministrin e Ministrisë për Komunitete e Kthim, z. Sasha Rashiç.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit,morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Komunitete e Kthim, të OSBE-së dhe KDI-së.

Duke i informuar anëtarët e Komisionit për punën e gjithmbarshme të kësaj Ministrie, ministri Rashiç theksoi se duke u nisur nga Plani dhe Programi vjetor, kjo Ministri aktivitetet e veta i ka orientuar në disa drejtime, pikë së pari në implementimin e Ligjit për komunitetet, ndihmat rreth realizimit të projekteve për komunitetet që punojnë dhe jetojnë në Kosovë, në ndihmat atyre pjesëtarëve të komuniteteve që kthehen nga vendet perëndomore, në ndihmat rreth ndërtimit të objekteve kulturore dhe sportive, si dhe në ndërtimin e qendrave kolektive për vendosjen e pjesëtarëve të komuniteteve. Duke folur konkretisht për temën e fundit, ministri Rashiç theksoi se, për ndërtimin e e Qendrës kolektive për vendosjen e komunitetit ashkalinjë në Komunën e Ferizajt, konkretisht në fshatin Dubravë, janë ndarë gjithsej 440.000 Evra (200.000 € nga Ministria për Komunitete e Kthim, 200.000 € nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 40.000 € nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Njëherit, në Komunën e Mamushës, Obiliqit dhe Parteshit, do të ndërtohen objektet e reja sportive, të cilat kryesisht do të shfrytëzohen nga komunitetet që jetojnë dhe punojnë në atë mjedis.

Në vazhdim, ministri Rashiç theksoi se punon në atë drejtim që të mos i pëkrahë dhe financojë disa projekte të individëve apo organizatave joqeveritare, por t'i përkrahë projektet kolektive, siç është rasti me ndërtimin e banesave të reja në fshatin Dubravë për komunitetin ashaklinjë.

Në përfundim, ministri Rashiç theksoi se, sikur edhe deri më tani, edhe në të arshmen është i gatshëm për bashkëpunim me këtë Komision për mirëqenien e të gjitha komuniteteve që jetojnë dhe punojnë në Republikën e Kosovës.

Në vazhdim, anëtarët e Komisionin shprehën dëshirë për kontakte dhe takime të rregullta në të ardhmen, për shkëmbimin e informatave në lidhje me fushëveprimin e vet. Sa i përket konkursit për ndarje e mjeteve financiare të destinuara për integrimin e komuniteteve, ishte mendim i përbashkët që kjo të bëhet në mënyrë shumë transparente dhe këto mjete financiare duhet fituar ata të cilët me projektet e veta e meritojnë këtë dhe që u janë më se të nevojshme, e jo individët që deri te këto mjete vijnë përmes lidhjeve familjare, shoqërore apo partiake.

Në fund të kësaj mbledhjeje, u potencua nevoja e marrëveshjes së përbashkët për vizitat nëpër komuna, përkatësisht nëpër Zyrat për komunitete dhe që Komisioni dhe Ministria të takohen sa më shpesh për të këmbyer informata nga fushëveprimi i vet.