Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt në Prishtinë Samiti i kryetarëve të komisioneve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore

18.03.2015
Duke e hapur Samitin e kryetarëve të komisioneve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, në temën Bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane,i cili u mbajt sot në Prishtinë, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, pasi ka theksuar arsyen mbajtjes së këtij takimi të rëndësishëm dhe ka përkujtuar momentet e shtetësisë së Kosovës dhe të afirmimit ndërkombëtar të saj, ka theksuar se Republika e Kosovës është bërë faktor i stabilitetit në rajon. Hamiti u ka pohuar parlamentarëve të vendeve të Evropës Juglindore Kosova e pavarur ka krijuar koncensus nacional politik për integrime euro-atlantike dhe bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit.

Ky takim është dëshmi e marrëdhënieve të mira midis popujve e vendeve tona dhe një kontribut tjetër i bashkëpunimit rajonal ndërparlamentar dhe ndërshtetëror, ka thënë kryetari i Kuvendit të republikës së Kosovës. dr. Jakup Krasniqi, duke e përshëndetur Samitin. Vendet tona dhe popujt që përfaqësojmë, në këto kohë transformimesh progresive dhe të proceseve integruese, ka thënë ai, kanë nevojë për komunikim miqësor, për bashkëpunim të ngushtë dhe për këmbim përvojash prosperuese.

Pas shpalljes së opinionit të GJND-së për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës dhe pas Rezolutës së AP të OKB-së për Kosovën, presim njohje të reja ndërkombëtare të shtetit tonë, duke bërë kështu të mundur anëtarësimin e tij në OKB, në organizmat tjerë ndërkombëtarë dhe përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike, është shprehur i bindur Krasniqi.

Në vazhdim të punimeve të samitit, përfaqësuesit e komisioneve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane.

Ka pasur pajtueshmëri të plotë të pjesëmarrësve të Samitit për domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në shumë lëmenj të jetës, si në energjetikë, komunikacion, infrastrukturë rrugore, ekonomi, arsim, shkencë, kulturë etj. në rrugën drejt integrimeve evropiane. Bashkëpunimi dhe dialogu, ndërkaq, janë quajtur parime të patjetërsueshme të fqinjësisë së mirë.

Duke përkujtuar faktin se shumica e vendeve të rajonit kanë dalë nga një trashëgimi komuniste dhe konfliktesh dhe duke theksuar faktin që këto vende kanë humbur një dhjetëvjetësh të vyer të tranzicionit të tyre, kryetari i Komisionit për Politiken e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Fatos Beja, ka theksuar se jo vetëm është në interes të vendeve të rajonit, por është edhe në interes të BE-së që të mos kemi kufij të jashtëm me BE-në, që tregu i brendshëm i rajonit të mos jetë treg i jashtëm për këtë bashkim, që për lëvizjen e qytetarëve tanë të mos ketë barriera kufizuese administrative. Ai në vazhdim ka vlerësuar se dy dokumentet e fundit ndërkombëtare për Kosovën: opinioni i GJND-së dhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e konfirmojnë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, krijojnë garanci për stabilitetin dhe paqen e rajonit tonë dhe, si të tilla, meritojnë të mbështeten nga ky samit.

Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe të Mbrojtjes në Kuvendin Kombëtar Bullgar, Dobroslav Dimitrov, në fillim të fjalës së tij ka përmendur rrugën e vështirë prej vetëm 300 km. që ka bërë nga Sofja në Prishtinë, duke kaluar dy kufij shtetëror. Ai është angazhuar për takime më të shpeshta, si ky samit e të ngjashëm, për t™i zgjidhur problemet ekzistuese. Ai është shprehur i bindur se Kosova e pavarur i ka kontribuuar sigurisë së rajonit. Në këtë vështrim Dimitrov ka folur edhe për punën e madhe të Bullgarisë për integrimet evropiane dhe për njohjen e shpejtë të Kosovës. Ai, ndërkaq, është shprehur i bindur se vendet e Evropës Juglindore vetëm me bashkëpunim të mirë dhe me projekte të përbashkëta mund të konkurrojnë në aspektin global.

Kreshimir Qosiq, anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Kroacisë, ka theksuar përvojat kroate në procesin e integrimit evropian. Ai ka pohuar se vendi i tij është përqendruar në industrinë e ndërtimit të anijeve si dhe në reformat në gjyqësor dhe administratë, duke theksuar sidomos miratimin e ligjeve të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, si dhe ndryshimet kushtetuese, për t™iu përshtatur anëtarësimit në këtë bashkësi që pritet të ndodh.

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, në Parlamentin e Maqedonisë, Teuta Arifi, shtetet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë i ka quajtur shtete fragjile edhe për sa i përket aspektit të sigurisë, edhe standardeve të drejtave të njeriut, të drejtave kombëtare etj. Ajo ka shprehur kënaqësinë që tanimë edhe vendi i saj, si shumica e vendeve të rajonit, po e krijojnë mentalitetin për një Ballkan të evropianizuar dhe jo një Evropë të ballkanizuar, siç ndodhte më parë. Në këtë vështrim ka përmendur Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka ndërprerë konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, e që hap perspektivë për zhvillim demokratik dhe harmoni etnike në këtë vend, i cili vazhdon të ketë një kontest për emrin.

Miodrag Vukoviq, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane Parlamentin e Malit të Zi, duke iu kthyer zhvillimeve konfliktuoze në ish-Jugosllavi dhe pamundësisë që konfliktet të zgjidheshin paqësisht, pohoi se vendi i tij i vogël zgjodhi rrugën e mbijetesës e vet politike, duke e shpallur pavarësinë dhe bashkëpunuar ngushtësisht për integrime evropiane dhe euroatlantike. Ai ka përmendur pjesëmarrjen e vendit të tij në disa nisma rajonale, kurse ka veçuar bashkëpunimin e mirë me të gjitha vendete rajonit. Vukoviq ka vlerësuar sidomos investimet turke në projekte të mëdha në Mal të Zi, si dhe hapjen e shumë pikave të rejave kufitare me Shqipërinë që e lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve. Ai ka pohuar se me Kosovën do të këmbehen ambasadorët respektiv.

Mehmet Ceylan- zëvendëskryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, ka theksuar problemet që i kanë shkaktuar paqes në Evropë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik edhe Jugosllavisë Federale, por ka vënë në pah se me pavarësimin e Malit të Zi dhe Kosovës është formësuar harta politike e Ballkanit. Ballkani nuk duhet të jetë periferi e Evropës por pjesë e sa j ka thënë Ceylan, i cili në vazhdim ka folur për prioritetet e Turqisë në rrugën e saja të zhvillimit e të afirmimit ndërkombëtar. Ai, ndërkaq, ka theksuar lidhjet e shumëfishta (historike,kulturore e fetare) të Turqisë me vendet e rajonit, sidomos me Kosovën, prandaj edhe interesin e vendit të tij për ta mbështetur Kosovën në shumë plane. Ai ka apeluar që Serbia t™i kthehet realitetit dhe të jetë konstruktive në të ardhmen.

Zëvendëskryetari i par i Komisionin për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, në fjalën e tij theksoi se shteti i Pavarur i Kosovës ende vazhdon të mbetet peng i historisë dhe i koniukturës ndërkombëtare të pas Luftës së Parë Botërore, që determinoi dhe ligjëroi padrejtësisht pushtimin dhe kolonizimin e Kosovës nga Serbia. Ai, tutje është shprehur i bindur se bashkëpunimi rajonal nuk kushtëzohet aq nga vullneti dhe predispozita politiko-shtetërore e vendeve fqinje, sesa nga miqësia e detyrueshme gjeografikisht dhe historikisht e tyre. Duke konstatuar se Kosova shtet është pjesë e Ballkanit, që në distancë hapësinore është më afër Brukselit sesa kryeqytetit të ndonjë vendi, që është pjesë e Ballkanit, ajo, megjithatë, ndihet psikologjikisht, ligjërisht dhe realisht shumë larg BE-së, sesa çdo shtet i Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo ndjesi nuk shkaktohet nga ecuria historike e krijimit dhe e paskrijimit të shtetit të Kosovës, sesa nga qëndrimi disi dyshues i BE-së ndaj Ballkanit, që shfaqet në qëndrimin ndaj Turqisë dhe Kroacisë, që, siç është shprehur Haliti, do të duhej të ishin prej vitesh anëtarë të BE-së.

Në vazhdim edhe pjesëmarrësit e tjerë të takimit (Nexhat Daci, Arta Dade, Ibrahim Gashi, Enis Kervan, Slobodan Petroviq dhe Genci Nimanbegu) kanë marrë pjesë në debat, duke dhënë kontribute të çmueshme për temën në shqyrtim dhe pajtuar plotësisht për rëndësinë e takimit. Ata kanë shprehur bindjen e plotë për institucionalizimin e Samitit të kryetarëve të komisioneve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, i cili duhet mbajtur radhazi në vendet pjesëmarrëse, si dhe kanë shfaqur dëshirën për përfshirje në të ardhmen edhe vendeve të tjera të rajonit.

Në përfundim të takimit është miratuar njëzëri një deklaratë e Samitit të kryetarëve të komisioneve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore , në të cilën shprehet përkrahje e fuqishme e politikave të integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit për arritjen e standardeve demokratike dhe të vlerave evropiane, versionin anglisht të të cilës e kanë nënshkruar pjesëmarrësit e këtij samiti.