Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i mbajtur në Konferencën gjithëpërfshirëse mbi rrolin e Kuvendit në procesin e Integrimit evropian

Të nderuar të pranishëm,

Vizioni për integrimin evropian është vizion konsensual i shoqërisë sonë. Ne jemi të bashkuar për atë se si e shohim të ardhmen tonë. Kjo është një pikënisje tejet e rëndësishme.


Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit, është i përkushtuar tërësisht që të ndihmojë të gjitha proceset që lidhen me integrimin evropian të vendit tonë.


Vetëm pak javë më parë, Kuvendi i Kosovës me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar ligje që dalin nga pakoja e procesit të liberalizimit të vizave, duke i dhënë mbështetje plotësimit të kritereve që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.


Ne do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë proces me prioritet të lartë duke ushtruar edhe presion mbi institucionet përgjegjëse për zbatim sa më të shpejt të obligimeve të tyre me qëllim të avancimit të agjendës evropiane.


Miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga ana e Komisionit Evropian është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona me BE-në.


Ne shpresojmë që shumë shpejt do të nënshkruajmë këtë marrëveshje dhe do të hapet një faqe e re për Kosovën e cila ngërthen në vete edhe obligime për të gjithë ne.


Kjo marrëveshje kontraktuale, e para e kësaj natyre ndërmjet Kosovës dhe BE-së, do të hap një kapitull të ri të marrëdhënieve tona me BE-në, që do të shtrihet në gjithë shoqërinë kosovare.


Roli i Kuvendit në përshpejtimin e proceseve integruese është i shumëfishtë.
Ai shtrihet në disa fusha.

 

a. Pikë së pari, në hartimin e një legjislacioni i cili është në përputhje me kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian.


b. Në avancimin e transparencës parlamentare dhe përfshirjes qytetare në proceset legjislative, me çka fuqizohet edhe më shumë Kuvendi si institucion.


c. Fuqizimi i Kuvendit përkthehet drejtpërdrejtë në fuqizimin e demokracisë, me çka arrihet një nga standardet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian: qeverisja funksionale demokratike.


d. Përmes zhvillimit të diplomacisë parlamentare, sidomos me vendet fqinje, duke i ndihmuar kështu dialogut gjithëpërfshirës në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet kanë të njejtin qëllim : integrimin evropian.


e. Fqinjësia e mirë dhe pa konflikte është standard dhe vlerë euro-atlantike.


f. Përmes parlamentarizmi ekonomik, me të cilin unë kuptoj, fokusimin e Kuvendit të Kosovës në hartimin e një legjislacioni që ka impakt direkt në zhvillimin ekonomik.


g. Agjenda e integrimeve evropiane nuk mund të ecë përpara pa komponentët e zhvillimit ekonomik.


h. Përmes fuqizimit të mbikëqyrjes parlamentare, sidomos të mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.


i. Na duhet ta kemi të qartë se pa sundim të ligjit nuk mund të ketë ecje përpara në integrimin evropian.


Unë jam i bindur se Kuvendi i Kosovës ka të gjithë vullnetin dhe mundësitë që në kohën e duhur të përmbushë këtë rol të shumëfishtë në të mirë të vendit dhe qytetarëve.


Ju faleminderit!

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com