Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mbajtur në Tryezën e organizuar nga NDI, me temën: Inkurajimi i pjesëmarrjes qytetare përmes transparencës parlamentare

I nderuari z. Alexander Chavarria, Drejtor i NDI-së në Kosovë,
I nderuar z. James Hope, Drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike,


Kam kënaqësinë që në hapje të kësaj tryeze të flas mbi pjesëmarrjen e qytetarëve përmes transparencës parlamentare.

Tema për të cilën jemi mbledhur sot të diskutojmë prekë vet thelbin e demokracisë.
Ne jetojmë sot në demokraci përfaqësuese.

Prandaj qëllimi themelor i përkushtimit për të ngritur pjesëmarrjen qytetare dhe transparencën parlamentare është pikërisht fuqizimi i përfaqësimit politik.
Nuk mjafton vetëm njëherë në katër vjet të pyeten qytetarët se si nga kush duan të qeverisen.
Është nevojshme që gjithë kohën ata të jenë pjesë aktive në procesin e krijimit të ligjeve dhe hartimit të politikave publike.
Kosova është një demokraci e re, me një traditë parlamentare në fillet e saj, por duhet theksuar se që nga fillimi, Kuvendi i Kosovës ka qenë i përkushtuar ndaj pjesëmarrjes qytetare dhe bërjes transparente të punës së tij,
Që nga viti 2001 e deri më sot janë ndërmarr hapa të rëndësishëm dhe konkret në funksion të këtij qëllimi.
Përveç praktikave që promovojnë demokracinë në rrafshin simbolik,
- më 2013 Kuvendi ka themeluar zyrën për ndërlidhje me organizatat e shoqërisë civile
- dhe një vit më pas është miratuar deklarata për bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile.
- Në proces është realizimi i projektit për E- parlamentin.
Përmes këtij projekti ne synojmë përcjelljen në mënyrë elektronike të procesit legjislativ.
Kjo është një mundësi më shumë për qytetarët që të jenë aktivisht të përfshirë në këtë proces.
Si kryetar i Kuvendit të Kosovës, unë zotohem që të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë në këtë drejtim.
Jam i përkushtuar që në komisionet parlamentare, aty ku bëhet puna më e madhe në hartimin e ligjeve,
-të rritet niveli i pjesëmarrjes së shoqërisë civile,
- grupeve të interesit,
- ekspertëve të pavarur,
- si dhe prezenca e mediave.
Njësoj sikurse seancat parlamentare, edhe komisionet parlamentare duhet të transmetohen gjerësisht në media.
Unë kam takuar përfaqësuesit e mediave dhe bashkërisht me ta kemi diskutuar zgjidhjen e problemeve të qasjes së mediave në punën e parlamentit.
Niveli i qasjes së gazetarëve në informatat parlamentare duhet të jetë në nivelin e standardeve më të larta demokratike.
Ne kemi përmirësuar qasjen fizike të mediave dhe po zgjerojmë mundësitë e transmetimit medial.
Në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës ka mungesa dhe aktualisht jemi duke punuar në disa ide që kjo ueb faqe të dinamizohet dhe pasurohet me të gjitha informatat që janë me interes për mediat dhe qytetarët.
Zgjedhësit kanë të drejtë të shohin se si po punojnë të zgjedhurit e tyre.
Mbyllja brenda zyrave shpesh priret drejt mbylljes institucionale.
Prandaj do t'i inkurajoj grupet parlamentare, deputetët, që të instalojmë bashkërisht praktikën e konsultimit në terren me qytetarët.
Të shkojmë tek qytetarët, t'i dëgjojmë ata, dhe kështu edhe ligjet i bëjmë më të mira, edhe transparenca është më e madhe.
Transparenca e llogaridhënia janë vlera të pandashme nga njëra tjetra dhe unë zotohem nga kjo tryezë që bashkë me ju dhe të gjithë deputetët, Kuvendin e Kosovës ta bëjmë plotësisht të hapur në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të transparencës parlamentare.
Sot këtu dua të falënderoj të gjithë kontribuuesit që ndikuan pozitivisht në zhvillimin e transparencës në Kuvendin e Kosovës dhe shoqërinë tonë në përgjithësi, në veçanti organizatat NDI dhe USAID, duke shpresuar se ky bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, shoqërinë civile dhe qytetarët do të thellohet edhe më tej.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com