Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

16.04.2024

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, mbajti tryezën me temën “Shëndeti oral, të arriturat dhe sfidat”, nën drejtimin e deputetit Mirsad Shkreta, anëtar i këtij komisioni.

Në këtë tryezë morën pjesë ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, deputetë, si dhe përfaqësues nga institucionet shëndetësore dhe arsimore. 

Deputeti Shkreta, pasi prezantoi agjendën e kësaj tryeze, bëri një rezyme të shkurtër të problematikës së shëndetit oral në Kosovë. 

Edhe ministri Vitia foli lidhur me situatën në të cilën ndodhet Kosova në fushën e shëndetit oral. Ndër të tjera, ministri Vitia tha se duhet të ndërtohet një strategji e mirëfilltë, duke filluar nga elementi kryesor, krijimi i databazës së të dhënave, pastaj përmirësimet ligjore dhe të direktivave të domosdoshme organizative e deri te puna informative në shkolla për shëndetin oral.

Më pas, deputetët pjesëmarrës shprehën shqetësimet e tyre lidhur me shëndetin oral, duke trajtuar me seriozitet pozitën e rëndë në të cilën ndodhet Kosova. 

Gjatë diskutimeve, u tha se 12.5 për qind e fëmijëve nën moshën 12 vjeç, kanë 3 deri në 5 dhëmbë të prishur ose të hequr.

Përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore dhe arsimore gjatë diskutimeve trajtuan probleme të ndryshme lidhur me situatën dhe përmirësimin e punës lidhur me shëndetin oral. 

Këtë tryezë e përmbylli kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku, e cila gjatë diskutimit dha ide se si të përmirësohet shëndeti oral në Kosovë.

Marrë parasysh gjendjen, ishte konkludim i përbashkët se ndër të tjera është e domosdoshme të këtë më shumë fushata informuese nëpër shkolla për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin oral.