Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

12.02.2024

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes u mblodh sot nën drejtimin e kryetarit Bekë Berisha, për të diskutuar lidhur me punën e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023. 

Për të paraqitur raportin e punës për vitin e kaluar dhe për të dhënë sqarime në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga deputetët, i ftuar në mbledhje ishte ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. 

Duke i bërë një rezyme angazhimeve vjetore të dikasterit që drejton, ministri Maqedonci evidentoi një varg çështjes të cilat e kanë shoqëruar angazhimin e ministrisë gjatë vitit që lamë pas, si blerja e armatimeve, sigurimi i pajisjeve të tjera ushtarake, përfshirë veshmbathjet, transporti i ushtarëve, pagat dhe ankesat për kompensime etj. 

Duke folur për blerjet, i pari i Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se 115 milionë euro janë shpenzuar për armatim, përderisa përmendi edhe sfida të tjera më të cilat është përballur ministria, por të cilat, sipas tij, kanë filluar të gjejnë zgjidhje, siç është çështja e transportit. 

"Ka qenë për disa vite sfidë sigurimi i transportit. Prej datës 9 janar kemi filluar me transportin e organizuar. Të gjitha linjat aktualisht janë aktive dhe transporti është rregulluar për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Edhe uniformat kanë qenë një ndër sfidat po ashtu. Edhe ajo është adresuar. Ne kemi bërë një kontratë emergjente gjatë vjeshtës për shkak të nevojës se furnizimit të pjesëtarëve me çizme. 120 ditë pasi është nënshkruar kontrata (nga dhjetori) do të fillojë furnizimi me uniforma. Ne kemi pasur gjithashtu ankesa gjatë këtij muaji për çështjen e kompensimit bazuar në rregulloren që është shfuqizuar në vitin 2021. Aktualisht nuk kemi numër të saktë të padive që janë ngritur, mirëpo kemi një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve që kanë bërë ankesa", theksoi ministri Maqedonci. 

I pyetur lidhur me largimin e pjesëtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ministri Maqedonci tha se gjatë vitit 2023 janë larguar 221 pjesëtarë, prej tyre 59 kanë shkuar në pension të rregullt. 

"Gjatë vitit 2023, 221 ushtarë janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Këtu hynë edhe pensionimi i rregullt, që janë 59 pjesëtarë. 129 pjesëtarë kanë lëshuar punën vullnetarisht. Arsyet janë të ndryshme, duke filluar nga aspekti i pagës, mundësitë që iu ofrohen jashtë institucionit. Ky nuk është trend vetëm tek ne po edhe në ushtritë e shteteve të tjera", tha gjatë fjalës së tij ministri Maqedonci.  

Anëtarët e komisionit nga ana e tyre shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën çështje të ndryshme që lidhen me aspekte të punës, funksionimit e të shërbimeve në FSK, duke kërkuar nga ministri sqarime në çështjet e ngritura. Ministri, nga ana e tij, dha sqarimet përkatëse në pyetjet dhe shqetësimet e deputetëve.