Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare 

22.02.2024

Në kryesimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca sot vazhdoi seanca plenare me pikat e mbetura të seancës së 8 dhe 14 shkurtit 2024.

Fillimisht deputeti i PDK-së Abelard Tahiri kërkoi që të tërhiqet nga rendi i ditës  shqyrtimi i projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, e propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, pasi që siç tha ai disa nga deputetët e kësaj partie gjenden në një udhëtim zyrtar. Kryetari Konjufca tha se për këtë pikë do të vendoset në njërën nga seancat e radhës.

Nga rendi i ditës u tërhoq edhe votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave. Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere Armend Muja tha se Projekt Kodi doganor do të dërgohet edhe njëherë në Komision e më pastaj me një raport plotësues do të sillet në seancë.

Në mungesë të vendimmarrjes për një seancë tjetër u bart edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra.

Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi me 61 vota për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji si dhe Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor.

Seanca vijoi me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, të cilin para deputetëve e prezantoi kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Ky projektligj u bart për një seancë tjetër pasi që nuk pati kuorum për votimin e amendamenteve të propozuara nga ana e deputetëve.

Kuorum nuk pati as për votimin në parim të Projektligjit për tekstet shkollore dhe sipas kryetarit Konjufca kjo pikë kalon në ndonjë seancë tjetër.

Deputetët e Kuvendit shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë. Projektligjin në fjalë e prezantoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla. Ligji mori shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në lexim të parë u shqyrtua edhe Projektligji për regjistrin e pronarëve përfitues, të cilin e prezantoi ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë,  Rozeta Hajdari. Ky projektligj u miratua në parim me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Rininë, të cilin e prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku. Lidhur me Projektligjin, grupet parlamentare dhanë qëndrimet e tyre dhe pas diskutimeve projektligji mori shumicën e votave të deputetëve.

Në rend të ditës ishte edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, por i njëjti u la për një seancë tjetër në mungesë të përfaqësimit nga ana e ministrit përkatës.

Seanca vijoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149. Në mungesë të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, Projektligjin e prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Hajrullah Çeku. 
Qëndrimet për dhe kundër projektligjit dhanë përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe i njëjti u miratua në parim me 60 vota për.

Seanca vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për gjendjen civile, të cilin e prezantoi ministri i Punëve të Brendshme  Xhelal Sveçla, por në mungesë të kuorumit u bart për një seancë tjetër.

Ministri Sveçla prezantoi edhe Projektligjin për letërnjoftimin, i cili u miratua në parim me 62 vota si dhe Projektligjin për kontrollin e kufirit shtetëror, i cili mori po ashtu shumicën e votave.

Në këtë seancë u shqyrtua në lexim të parë Projektligji për Shërbimet Private të Sigurisë, të cilin pas prezantimit nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, deputetët e votuan në parim me shumicë votash.

Me shumicën e votave u miratuan në parim edhe Projektligji për shtetësinë e Kosovës dhe Projektligji për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Në rend dite ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës, por kryetari Konjufca tha se kjo pikë bartet për një seancë tjetër pasi që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjendet në udhëtim zyrtar.
Pas prezantimit të Projektligjit për rrugët në lexim të parë nga ana e ministrit Hajrullah Çeku, kryetari Konjufca vendosi që të ndërpres seancën për sot dhe për pikat e mbetura do të vendoset në ndonjërën nga mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.