Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, është duke marrë pjesë në Takimin e Kryetarëve të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), e cila po mbahet në Budapest të Hungarisë.
Konferenca e COSAC-ut përfshinë dimensionin parlamentar të 27 shteteve anëtare të BE-së, përkatësisht pjesëmarrjen e parlamenteve kombëtare të tyre, nën udhëheqjen e Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropina në kuadër të gjashtëmujorit të dytë të këtij viti.
Pjesëmarrja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE, ka për qëllim informimin me prioritetet e Presidencës hungareze të BE-së, si dhe çështjet e ndryshme të cilat ndërlidhen me procesin e integrimit evropian në përgjithësi.
Deputetja Krasniqi, në fjalën e saj drejtuar COSAC-ut tha: “Kosova është e përkushtuar për integrime euroatlantike, siç është Bashkimi Evropian dhe NATO, por, gjithashtu ka kërkuar ndihmën e shteteve anëtare që të heqin masat e vëna ndaj Kosovës nga BE-ja”.
Ajo, po ashtu ka ngritur shqetësimin e saj lidhur me vendimin e institucioneve të BE-së lidhur me lejimin e lëvizjes në Zonën Shengen me dokumente të lëshuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë.
Ndërsa, temat kryesore që po zhvillohen në takimin e COSAC-ut janë kryesisht prezantimi i prioriteteve të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian si dhe procesin e integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor.
Deputetja Krasniqi, gjatë konferencës së COSAC-ut ka zhvilluar takime me përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së dhe të institucioneve të BE-së.
Gjithashtu gjatë qendrimit në Budapest, deputetja Krasniqi ka vizituar ambasadën e Republikës së Kosovës në Hungari dhe është pritur nga Ambasadori Delfin Pllana.