Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca priti në takim ambasadorin e ri të Japonisë   

30.01.2025

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri Jorezident të Japonisë për Republikën e Kosovës, Kiminori Iwama.
 
Në këtë vizitë të parë të ambasadorit Iwama, duke i shprehur mirëseardhje, kryetari Konjufca i uroi atij sa më shumë suksese në detyrën e tij të re në krye të misionit diplomatik të Japonisë në Kosovë.
 
Kryetari Konjufca u shpreh i bindur se me punën e përbashkët do të ruhet bashkëpunimi i mirë mes vendeve tona, por gjithnjë duke qenë edhe më ambiciozë, që ky bashkëpunim të shtrihet dhe thellohet edhe më tej, nëpër secilën fushë e duke angazhuar çdo potencial akoma të pashfrytëzuar, për të avancuar sa më shumë në drejtim të interesave tona të përbashkëta.
 
Po ashtu, u diskutuan mundësi të bashkëpunimit në fusha si ajo e tregtisë dhe investimeve, si dhe programe të bursave për teknologjinë.
 
Pasi e falënderoi për vizitën e tij në Kosovë dhe për diskutimin mes tyre, kryetari Konjufca u shpreh i bindur se bashkëpunimi me ambasadorin Iwama do të jetë shumë i frytshëm dhe se me gatishmërinë tonë të pakursyer do të forcojmë gjithnjë e më shumë partneritetin mes Kosovës dhe Japonisë, me angazhim të plotë në zhvillim të raporteve në çdo fushë.