Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili për të dytin vit po mbahet në Prishtinë.
Me këtë rast, kryetari Konjufca shprehu indinjatën e tij rreth ngjarjes së vrasjes së një gruaje sot në Pejë, kur edhe para disa ditëve një tjetër ngjarje e tillë e rëndë kishte ndodhur në Ferizaj, duke shtuar se në shumicën e këtyre rasteve vrasjet janë kryer nga burra që kanë pasur vepra penale sa i përket dhunës në familje.
Kryeparlamentari Konjufca kërkoi konsolidim të mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të vrasjes së grave mos të ndodhin më.
Duke folur për rëndësinë e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kryetari tha se këtë edicion e bën edhe më domethënës periudha kohore në të cilën po mbahet, pra në javën kur Kosova shënon ditën që i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Me këtë rast, kryetari Konjufca kërkoi që autorët e këtyre krimeve çnjerëzore të vihen para drejtësisë.
“Rreth 20 mijë gra u dhunuan gjatë luftës në Kosovë e këto janë dëshmia e dhimbjes sonë të vazhdueshme dhe kujtimeve të tmerrshme, me të cilat populli ynë vazhdon të jetojë çdo ditë. Përveç dhimbjes që i ka përcjellë tash e 25 vite, ato përballen edhe me stigmën shoqërore dhe mungesën e padurueshme të drejtësisë, përderisa kryerësit e këtyre krimeve nuk e kanë marrë dënimin e merituar dhe shumica prej tyre janë të lire”, tha kryetari Konjufca.
I pari i Kuvendit potencoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar e ka miratuar ligjin përkatës, me anë të të cilit zgjatet afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025.
Kryetari i Kuvendit duke folur për paqen dhe sigurinë në nivel botëror tha se krizat dhe vatrat e luftës ndikojnë më së shumti në jetën e grave dhe vajzave.
I pari i legjislativit përgëzoi iniciativën e presidentes Vjosa Osmani për themelimin e Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, zotim ky që është marrë edhe në Samitin për Demokraci.
Duke folur rreth përpjekjeve për demokratizimin e rolit të grave dhe vajzave, kryetari Konjufca tha se Kuvendi është hapësira e duhur për ngritjen e zërit dhe kauzave për barazi gjinore, për pjesëmarrjen e grave dhe rolin e tyre thelbësor për ta zhvilluar demokracinë parlamentare.
“Kontributi ynë në reforma ligjore, sidomos në legjislacionin që drejtpërdrejt i prek objektivat e kësaj agjende, është prioriteti ynë”, tha kryetari Konjufca.