Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca: Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku dhanë shembullin se si mbrohet atdheu

26.07.2024

Në shënim të ditës memoriale të policëve të rënë në detyrë dhe 13-vjetorit të rënies së heroit Enver Zymeri, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, realizoi një varg vizitash dhe bëri homazhe në nderim të zyrtarëve policorë, të rënë në krye të detyrës.

Kryetari Konjufca, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtues të lartë të Policisë së Kosovës, bëri nderime dhe vendosi lule pranë lapidarit të policëve të rënë në krye të detyrës. 

Pas homazheve në Prishtinë, kryetari Glauk Konjufca qëndroi në familjen e policit Afrim Bunjaku, në Samadrexhë, i vrarë në shtatorin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit nga strukturat kriminale të Serbisë, si dhe në familjen e policit Enver Zymeri në fshatin Duboc të Vushtrrisë, i cili u vra në krye të detyrës në fshatin Zupç të Zubin Potokut 13 vjet më parë.

Gjatë bashkëbisedimit më familjarë dhe të afërm të policëve të rënë në mbrojtje të atdheut, kryetari Konjufca shprehu vlerësimin e lartë ndaj aktit heroik të policëve tanë që dhanë jetën duke i shërbyer në mënyrë të pashoq shtetit dhe qytetarëve tanë, me përpjekjen e tyre sublime për të mbrojtur rendin ligjor e kushtetues, në luftën kundër cenimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë, si dhe kundër krimit të organizuar.

Kreu i Kuvendit tha se heronjtë Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, me guximin dhe vendosmërinë e tyre, me dashurinë ndaj atdheut dhe përgjegjësinë e lartë ndaj detyrës, sakrifikuan jetën e tyre duke mbrojtur sovranitetin dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës, që u kërcënuan nga strukturat kriminale dhe forcat paramilitare të dirigjuara prej Serbisë. Ai shtoi se rënia e policëve në krye të detyrës, tregon shembullin se si mbrohet atdheu kur rrezikohet dhe sulmohet.

“Sot jemi në përvjetorin e rënies së heroit Enver Zymeri, ditë kjo që është caktuar edhe dita e policëve të rënë në detyrë, për t’i përkujtuar ata. Shprehim rëndësinë që e ka kjo datë, e cila përkujton të gjithë policët e rënë në detyrë, por të gjithë atyre u prijnë Afrim Bunjaku e Enver Zymeri që janë heronjtë tanë e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun tonë, për ta mbrojtur atë kur u sulmua nga Serbia në të dy rastet. Ky është shembulli më i vlefshëm e të cilin duhet ta kujtojmë, sepse është shembulli që kur atdheu rrezikohet e sulmohet, nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetvetja. Kështu bënë Afrimi dhe Enveri, sepse dhanë më të shtrenjtën e tyre, sepse nuk u frikësuan të japin jetën”, tha kryetari Konjufca.

Më pas kryetari i Kuvendit, bashkë me zëvendëskryeministrat Bislimi e Gërvalla, ministrin Sveçla dhe eprorë të lartë të Policisë, bëri homazhe në fshatin Zupç të Zubin Potokut, në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri. Nga këtu kreu  i Kuvendit tha se institucionet e Republikës së Kosovës do të qëndrojnë afër familjeve të policëve të rënë në detyrë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës do të qëndrojnë pranë familjeve të heronjve tanë dhe të policëve të tjerë të rënë, sepse veç kështu tregojmë që jemi shtet serioz, shtet i cili e ngre në nivelin më të lartë shembullin e sakrificës për të mirën tonë të përbashkët. Lavdi gjithë policëve të rënë në detyrë!”, tha kryetari Konjufca.