Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryesia e Kuvendit mbajti mbledhjen e radhës

12.02.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të mërkurën dhe të enjten. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca. 

Të mërkurën, më 14 shkurt, në orën 11:00, Kuvendi do të vijojë me shqyrtimin e disa pikave të mbetura nga seanca e datës 8 shkurt. Kështu, Kuvendi do të votojë për emërimin tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, pastaj për përzgjedhjen e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për zgjedhjen e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe të një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës. 

Një ditë më pas, më 15 shkurt, Kuvendi do të mblidhet në seancë për të shqyrtuar tri Propozim-amendamentet Kushtetuese, nr.28, 29 dhe 30, për të vijuar me seancën e radhës, në të cilën do të shqyrtojë në lexim të parë e të dytë një varg 
projektligjesh, përfshirë ato që ratifikojnë marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe të votojë për themelimin e dy komisioneve hetimore.  

Kryesia në mbledhjen e sotme, konform kompetencave të saj shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit.