Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryesia e Kuvendit mbajti mbledhjen e radhës

18.09.2023

Të enjten, më 21 shtator, në orën 10:00 Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca.

Në orën 10:00 Kuvendi pritet të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e datës 14 shtator 2023, për të vijuar në orën 13:00 me seancë të re plenare, me të vetmen pikë të rendit të ditës: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Po të njëjtën ditë, në orën 14:00, Kuvendi do të fillojë shqyrtimin e pikave të seancës plenare, të paraparë për datën 28 korrik 2023.

Konform kompetencave të saj Kryesia në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit.